Abuzimet me regjistrat e grisur në Kadastër, Çollaku: Deklarata e Lames e pabesueshme, nuk ka asnjë shembull konkret

schedule12:32 - 24 Qershor, 2022

schedule 12:32 - 24 Qershor, 2022

Ish zv-kryeregjistruesi i Kadastrës, Flamur Çollaku ka komentuar në Abc Live, deklaratën e kreut të Kadastrës Shqiptare, Artan Lame për regjistrat e grisur në Tiranë.

Pas procesit të regjistrimit të AMTP-ve në Tiranë, Lame deklaroi se janë zbuluar abuzime të shumta që janë kryer ndër vite me regjistrat e pronave.

Nga ana e tij Çollaku e cilësoi deklaratën e Lames “show”, duke thënë se Lame nuk dha shembuj konkretë të regjistrave të dëmtuar dhe se deklarata e tij përmbante vetëm statistika.

Lexo edhe: Abuzimet në Kadastër, Lame: Në regjistrat e Tiranës mungojnë mijëra faqe, përgjegjës çdo ministër e kryeministër

“Deklarata e Lames kishte vetëm statistika. Nuk kishte shembuj konkret. E gjitha më duket një show. Në kadastër ka disa lloje regjistrash, Lame nuk e cilësoi se cilët regjistra janë dëmtuar”, tha Çollaku.

Gjithashtu ish zv-kryeregjistruesi i Kadastrës sqaron në Abc Live se regjistrat nuk mund të dëmtohen lehtë, pasi ata ruhen në arkiv dhe se për ta janë përgjegjës punonjësit e Kadastrës.

“Regjistrat nuk kanë rol në transaksione. Regjistrat janë gjithmonë në arkiv. Nuk ka shans ta dëmtohen fletët sepse punonjësi që punon me ta ka përgjegjësi për të Nuk ekziston mundësia që të grisen regjistrat kaq lehtë. Kur largohet një drejtor nga detyra, materialin që ka marrë në arkiv ia dorëzon të riut”, tha Çollaku.

Ish zv-Kryeregjistruesi i Kadastrës thotë se nga deklarata e Lames është e paqartë koha  se kur janë grisur regjistrat. Ai ngre pyetjen nëse regjistrat janë grisur para apo pas periudhës së digjitalizimit.

Ndër të tjera Çollaku thekson se regjistri nuk është baza për dhënien e titullit të pronësisë.

“Duhet sqaruar, regjistrat janë grisur pas apo para digjitilizimit ? Nëse regjistri hipotekor nuk ekziston, ka plotë dokumenti tjerë që vërtetojnë pronën.
Nuk është regjistri bazë për të dhënë titull pronësie. Lame del me një statistikë të madhe. E shoh të pabesueshëm se çfarë deklaron Lame. Sot nuk kryhen transaksione me regjistra hipotekor. Nuk punohet  më me regjistra hipotekor”, thotë Çollaku.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!