Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ishte sot e pranishme në Konferencën Ndërkombëtare të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë “Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve”, e cila po zhvillohet në Pallatin e Brigadave.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Nikolla tregoi arsyet pse u ndërmor Reforma në Drejtësi.
Nikolla: Për shumë arsye. Por themelorja ishte se sistemi i drejtësisë nuk i shërbente interesit publik dhe qytetarëve, por një klase të korruptuar. Sistemi ishte aq i kalbur saqë, megjithë presionin e publikut dhe të shumicës qeverisëse që e kishte vendosur reformimin e sistemit si prioritet strategjik të saj, nuk kishte asnjë shenjë e shpresë se sistemi mund të reformonte vetveten. Prandaj ne vendosëm të ndërmarrim hapin e guximshëm për reformën në drejtësi, si e vetmja rrugë e pastrimit të sistemit dhe garantimit të dhënies së drejtësisë për qytetarët.
Nikolla u shpreh se pas 6 vitesh reforma ka dhënë rezultat. Sipas saj, ne kemi një realitet tjetër.
Nikolla: Sot, gjashtë vjet më vonë, kemi, padyshim, një realitet tjetër. Tipari më i rëndësishëm i këtij realiteti është rrëzimi i disa miteve të sistemit dhe për sistemin e drejtësisë dhe progresi drejt një sistemi drejtësie, si një pushtet i pavarur në sistemin demokratik. Njeri prej miteve ishte mbretërimi i pandëshkueshmërisë, e cila dukej se ishte shndërruar në një antikulturë të sistemit të drejtësisë, madje të vetë sistemit politik.
Nikolla theksoi se sot askush nuk është mbi të drejtën dhe drejtësinë.
Nikolla: Sot askush nuk është mbi të drejtën dhe drejtësinë dhe askush nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit, nëse e meriton. Kjo është aq e vërtetë, saqë po ndodh në sytë e të gjithë shqiptarëve. Një mit tjetër ishte perceptimi se sistemi i drejtësisë është një fortesë ku nuk hyn dot zëri i publikut dhe qytetarëve. Sistemit po i zihej fryma nga monopoli i një kaste drejtuesish, gjyqtarësh dhe prokurorësh të korruptuar, me mbështetjen e një kaste politikanësh gjithashtu të korruptuar. Politika dhe drejtësia po sundonin bashkarisht në forma gati-gati despotike.
Në përfundim, Nikolla u shpreh se sot, fijet që e lidhnin sistemin me format korruptive të mësipërme, janë këputur e po këputen dita-ditës. Pushteti gjyqësor po ndërtohet, fuqizohet dhe afirmohet si një pushtet i pavarur./Abcnews.al/