Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kërkoi sot nga kryeministri Albin Kurti të sqarojë para qytetarëve nëse marrëveshja për energjinë e nënshkruar me Serbinë në Bruksel, është e duhura.
Në seancën e sotme të Kuvendit, Abdixhiku tha se nëse marrëveshja nuk është e mirë, atëherë duhet të flitet për legalizimin e Serbisë në veriun e Kosovës.
“Pra, duhet të qartësosh një element bazik, cila është natyra e marrëveshjes, sepse të dyja s’mund të jenë. Është kundërthënie politike, s’mund të sillesh as mish as peshk. Ose e mirë ose e keqe, ose është trashëgimi ose është meritë e jotja”.
“Të dyja s’janë. Dhe në qoftë se është dëm, e s’është vazhdimësi, atëherë pse na e sjelle elektroseverin në Kosovë, të cilën e ke kundërshtuar para 4 viteve këtu në këtë foltore. Për neve, marrëveshja është e njëjtë, siç ka qenë e mirë atëherë, është edhe tani, prandaj, edhe e mbështesim, po shtrihet sovraniteti në veri”, tha Abdixhiku.