Kapriçot e Kinës në negociatat dypalëshe me Shtetet e Bashkuara duket se kanë acaruar presidentin Donald Trump. Me një lëvizje të papritur shefi i Shtëpisë së Bardhë ka paralajmëruar Pekinin me ngritjen e tarifave për mallrat kineze me vlerë 200 miliardë dollarë.
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se do të ngrejë tarifat për 200 miliardë dollarë produkte kineze, për shkak se bisedimet për çështjet tregtare me Pekinin po ecin shumë ngadalë. Përmes një postimi në rrjetin social Tëitter, Trump ka bërë me dije se tarifa prej 10 për qind për një kategori mallrash do të rritet në 25 për qind ditën e premte dhe se 325 miliardë dollarë në mallra të pataksuara do të taksohen së shpejti me 25 për qind. “Bisedimet tregtare me Kinën vazhdojnë, por po ecin me ngadalë dhe ata kërkojnë të rinegociojnë.
Nuk bëhet kështu”, ka deklaruar Trump. Dy vendet dukeshin se ishin pranë arritjes së një marrëveshjeje në javët e fundit, por mesa duket nuk arritën të përafronin më tej qëndrimet e tyre. Gjithashtu, më herët gjatë vitit Trump shtyu rritjen e mëtejshme të tarifave, duke thënë se bisedimet po ecnin mirë.
Por lëvizja e fundit e shefit të Shtëpisë së Bardhë përbën një rritje të presionit ndaj Kinës, në një kohë kur zëvendës kryeministri kinez Liu He ka në plan të vizitojë Uashingtonin këtë javë për të rifilluar dialogun. Raundi i fundit i bisedimeve mes palëve daton muajin e kaluar në Pekin, të cilin sekretari amerikan i Thesarit, Stiven Mnushin e konsideroi “produktiv”./ABC News Albania 24/7