Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një fjalimi mbremjen e djeshme tha se është e nevojshme një “paketë e shtatë e sanksioneve të Bashkimit Europian sa më shpejt të jetë e mundur”. Deklarata e tij erdhi ndërsa 27 liderët e BE-së po takohen këtë javë për të marrë një vendim përfundimtar mbi dhënien zyrtarisht të statusit të vendit kandidat të Ukrainës, sipas CNN.
“Unë do të bëj çmos për të siguruar që vendimi historik i Bashkimit Europian të miratohet. Kjo është e rëndësishme për ne”, tha Zelensky.
Zelensky foli gjithashtu për “politikën anti-europiane” të Rusisë dhe përgjigjen e Moskës ndaj Lituanisë që bllokoi mallrat e sanksionuara nga Europa në enklavën europiane të Rusisë në Kaliningrad.
“Rusia duhet të ndjejë një rritje të vazhdueshme të presionit për luftën dhe për politikën e saj agresive anti-europiane,” tha ai. “Një tjetër kërcënim rus për Lituaninë, një valë tjetër presioni energjetik, një grup tjetër gënjeshtrash nga zyrtarët rusë për krizën ushqimore janë të gjitha argumente për të rënë dakord për paketën e shtatë të sanksioneve”.
Ku ndodhet Kaliningradi?
Enklava është territori perëndimor i Rusisë dhe e vetmja pjesë e vendit e rrethuar nga shtetet e BE-së. Lituania ndodhet midis saj dhe Bjellorusisë, një aleate ruse, ndërsa Polonia kufizohet me të në jug.
CNN raportoi të hënën se Lituania Railëays, kompania shtetërore hekurudhore, kishte njoftuar Rusinë se trenat tranzit me mallra që i nënshtrohen sanksioneve të BE-së nuk do të lejohen më të kalojnë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov të hënën e quajti veprimin të paprecedentë dhe të paligjshëm.
“Është pjesë e bllokadës, sigurisht”, tha ai.
Por BE-ja ka mbështetur shtetin e saj anëtar.
/abcnews.al