Lëvizjet e fundit të Kajmakut, 5 ditë para arrestimit udhëtoi me avion nga Tirana në Itali

schedule10:59 - 19 Qershor, 2022

schedule 10:59 - 19 Qershor, 2022

Agim Kajmaku, ish kryetari i Bashkisë së Vorës, 5 ditë para arrestimit me 20 kg kokainë së bashku me nipin e tij në Grottamare në provincën e San Bendetto del Tronto në Itali, kishte udhëtuar me avion nga Tirana në Ancoa.

Agim Kajmaku dhe nipi i tij, Edmond Kajmaku u vunë në pranga pasi u kapën me 20 kilogramë kokainë. Nëse kjo sasi do të hidhej në treg do të arrinte fitime deri në 1 milionë euro. Monterubbiano ishte kryqëzimi i kokainës, pasi sipas mediave italiane dyshohet se më pas shpërndahej në qytete të tjera në Itali ose çohej deri në Holandë.

Karabinierët e gjetën drogën brenda vazove të luleve që ishin blerë nga kompania, ku Agim Kajmaku ishte aksioner, ndërsa tashmë është në pronësinë e bashkëshortes së tij. Kjo ka bërë që hetimet të shtrihen edhe në Shqipëri.

Ditët e fundit në portin e Durrësit është ushtruar kontroll në një prej kamionëve të kompanisë shqiptare. Aty janë zbuluar disa vende të fshehta ku dyshohet se futej droga megjithatë, brenda mjetit nuk është konstatuar asnjë sasi droge. Prandaj autoritetet dyshojnë se kjo është skema se si kanë arritur të lëvizen qindra kilogramë drogë.

Il Resto Del Carlino thotë se policia shqiptare ka arritur që të zbulojë edhe një llogari bankare në emrin e gruas së Kajmakut me 2 milionë Dollarë brenda. Nën hetim është origjina e këtyre parave.

Hetimet janë zgjeruar edhe për nipin e Kajmakut. Sipas mediave italiane 34 vjeçari Edmond Kajmaku para se të arrestohej ai jetonte në Monterubbiano kurse më herët ka qenë drejtor i UKT.

“Pra dy persona të padyshuar: Një politikan dhe një ish-ekzekutiv i rëndësishëm. Megjithatë, të dy kanë lëvizur kilogramë të tërë me drogë me supozimin se mbështeten nga krimi i organizuar shqiptar”, shkruan media italiane.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!