Komisioni i reformës zgjedhore u mblodh rreth përcaktimit të një kalendari, plani pune si dhe përzgjedhjes së ekspertëve të cilët do ndihmojnë deputetët e palëve politike përgjatë punës minimalisht 6 mujore të këtij komisioni.
Tetë do të jenë ekspertët të cilët do të propozohen nga palët politike për komisionin e reformës zgjedhore. Me këtë vendim doli mbledhja e parë pas konstituimit të komisionit zgjedhor. Vetëm 10 minuta u lejuan kamerat e mediave, për t’u larguar më pas duke lënë në sallë vetëm gazetarët.
Deputetët ranë dakort të diskutonin shkurtimisht mbi pikat e rendit të ditës në mënyrë që seicili të kthehej në terren pranë qytetarëve të prekur nga situata emergjente.
Përmbushja e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik, presionet në vendin e punës, roli i policisë në zgjedhje, lista e zgjedhësve dhe sistemi i adresave si dhe përfshirja e krimeve elektorale tek krimet e rënda ishin pikat kryesore të përmbledhura nga bashkëkryetari demokat Bylykbashi konform edhe diskutimeve të mëparëshme mes palëve.
Mbi çështjet me më shumë rëndësi për adresim të shpejtë, Dashamir Shehi dha një propozim.
“Pika dy e rendit të ditës thotë se partitë politike do të paraqesin pozicionet e tyre. Kjo që po bëjmë ne nuk është politike. Ne duhet të flasim nëse do e mbajmë më këtë sistem apo jo? E duam mazhoritar apo propocional rajonal apo edhe një përzierje mes tyre. Ky është qëndrim politik. Numërimi elektronik është vetëm një çështje teknike, nuk ka të bëjë me sistemin. Tani a do biem dakort për këtë gjë teknike?Ta heqim si çështje, të biem dakort të gjithë, ta dijnë dhe qytetarët që nesër do votojnë elektronikisht. Ditën që kjo miratohet, bie edhe pasha politike e numëruesve në Komisione Zgjedhore sepse nuk do të numërojnë më vota”.
Parimisht mbështetje mori propozimi i zotit Shehi, por asgjë konkrete nga komisioni i cili mori 60 minuta kohë të diskutonte për numrin e nevojshëm të ekspertëve që do i ndihmojnë palët politike në punën e komisionit zgjedhor./abcnews.al