Partitë Politike në Maqedoninë e Veriut japin mesazhet e fundit

schedule16:50 - 3 Maj, 2019

schedule 16:50 - 3 Maj, 2019

Në mesnatë në Maqedoninë e Veriut hyn në fuqi heshtja zgjedhore. Kandidatët presidencialë dhe partitë politike bënë përpjekjet e fundit për të bindur elektoratin se pjesëmarrja masive në votime është në dobi të vendit dhe aspiratave euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.

Në ditën e fundit të fushatës për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kandidatët presidencial të pozitës dhe opozitës, po japin mesazhet e fundit para elektoratit.

Derisa nga kampi politik i koalicionit qeveritar bëjnë thirrje për dalje masive dhe të votohen përcaktimet euro-atlantike të vendit, opozita maqedonase, ndërkaq, zhvillon një fushatë tjetër. Ata bëjnë thirrje që qytetarët të dalin masivisht në votime, me qëllim që postin e Presidentit mos ta marrë Kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Mirëpo, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i mohoi zërat se mos dalja e tij në fushatën zgjedhore ka të bëjë me pretendimet për tu bërë  kryetar shteti.

Kandidati shqiptar që nuk arriti të kualifikohet në raundin e dytë, Prof. Blerim Reka i ftoi votuesit e tij, të dalin masivisht në votime dhe të shpëtojnë procesin euroatlantik të vendit, gjë që në qarqet e këtushme vlerësohet si përkrahje indirekte për z.Pendarovski.

Kurse partitë opozitare shqiptare që mbështetën kandidaturën e Rekës, bënë thirrje për dalje masive, por qytetarët të votojnë sipas bindjeve të tyre, duke mos harruar përcaktimet strategjike të vendit për hyrjen në strukturat e NATO-s dhe BE-së./ABC News Albania 24/7