Komisioni i Reformës Zgjedhore ka nisur nga puna ditën e sotme në mbledhjen e parë.
Bashkëkryetari i komisionit, Enkelejd Alibeaj vuri në dukje se gjatë punës duhen mbajtur parasysh rekomandimet nga OSBE/ODIHR dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, ndërsa theksoi se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës.
“Sa i përket përbërjes dhe përmbajtjes besoj që thelbi i veprimtarisë duhet të orientohet në dy çështje, e para një proces sa më gjithëpërfshirës dhe ka përbërje nga të gjitha forcat parlamentare. Së dyti, unë kam kërkuar që veç dërgimit të një kërkerse zyrtare ndaj OSBE/ODIHR, ne do t’i drejtojmë të njëjtën kërkesë edhe të tjera organizatave ndërkombëtare. KE, Komisioni i Venecias, përfaqësues të BE dhe SHBA.
Edhe organizata vendase me traditë në ndjekjen e procedurave zgjedhore janë të ftuar të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit të reformës zgjedhore.
Ndërkohë, lidhur me rendin e ditës, sa i përket numrit të ekspertëve, po them që tradita ka qenë 4 ekspertë të ndarë sipas përfaqësimeve parlamentare 2 me 2. Unë do të kërkoj që nga numri 4 ta rrisim në 6.
E fundit që doja të thoja lidhur me përmbajtjen që duhet të trajtojë komisioni, është e vërtetë që shtylla kryesore e trajtimit nuk është thjesht puna e lënë përgjysmë 2 vjet më parë, por rekomandimet e lëna zgjedhjet e fundit. Ajo që është më e rëndësishme është mënyra si do interpretohet zbatimi taktik i këtyre rekomandimeve. Besoj që ka nevojë për t’i riparë me një optikë të re”, tha Alibeaj. /abcnews.al