Për herë të parë Rusia ka deklaruar se po hap një korridor humanitar në qytetin e bombarduar të Severodonetsk për civilët që janë strehuar së bashku me ushtarët ukrainas në fabrikën kimike Azot, sipas BBC.
Megjithatë, negociatorët ukrainas dhe rusë kanë mbajtur një sërë bisedimesh për armëpushim gjatë rrjedhës së luftës për të rënë dakord për hapjen e korridoreve humanitare për civilët por jo të gjitha kanë qenë të suksesshme.
Evakuimet e suksesshme
Më 14 mars, Rusia dhe Ukraina ranë dakord për hapjen e një korridori humanitar për evakuimin e civilëve. Dhe falë kësaj, një kolonë prej të paktën 160 makinash private arriti të largohej nga qyteti jugor i Ukrainës, Mariupol, i cili u rrethua nga forcat ruse në fillim të marsit.
Dy ditë më vonë, 2000 makina arritën të largoheshin. Më 2 maj, filloi evakuimi i shumëpritur i civilëve nga fabrika e çelikut Azovstal . Më shumë se 100 të evakuuar nga Mariupol arritën të largoheshin në Zaporizhzhia, pas një udhëtimi që zgjati disa ditë.
Tre ditë më vonë u raportua se 300 civilë të tjerë ishin evakuuar. Deri më 7 maj, të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit arritën të largoheshin nga fabrika. Luftimet vazhduan deri më 17 maj, kur u njoftua se më shumë se 260 luftëtarë – disa prej të cilëve u plagosën rëndë ishin evakuuar, duke shënuar fundin e operacionit ushtarak ukrainas për të mbrojtur vendin.
Dështimet e evakuimeve
Mariupol u shkatërrua si pasojë e bombardimeve të njëpasnjësshme, ndërsa përpjekjet për të vendosur një armëpushim në qytet për të lejuar evakuimin e civilëve kishin dështuar mes akuzave nga të dyja palët.
Ukraina pretendoi se trupat ruse kishin vazhduar të bombardonin rrugët e evakuimit dhe akuzoi Rusinë për bllokimin e një autokolone për evakuimin e civilëve nga Mariupol. Evakuimi i qytetit ka qenë i vështirë dhe OKB-ja dhe Kryqi i Kuq thanë se nuk kishin rënë dakord për hapjen e asnjë korridori humanitar pasi nuk kishin marrë asnjë garanci nga të dyja palët.
/abcnews.al

