Arrestimi i Kajmakut, Balla: Ligji duhet të godasë mbi këdo, ka vite që s’është pjesë e jona

schedule11:25 - 14 Qershor, 2022

schedule 11:25 - 14 Qershor, 2022

Kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla ka komentuar arrestimin e Agim Kajmakut. Ish-kryebashkiaku socialist i Vorës u prangos disa ditë më parë në Itali, pasi u kap me kokainë.

Në një prononcim për mediat, Balla tha se qëndrimi i tyre është i qartë për raste të tilla. Sipas tij, ligji duhet të funksionojë njësoj dhe të godasë këdo.

“Sa herë që ligji funksionon mbi këdo, PS përshëndet veprimet e organeve të drejtësisë. Ky është një qëndrim i yni që nuk bën dallim për askënd. Ligji duhet të godasë mbi këdo”, tha ai.

I pyetur nëse duhet të mbajë PS përgjegjësi për afrimin e këtyre personazheve, Balla tha se Kajmaku ka vite që nuk ka më asnjë funksion në këtë  forcë politike dhe e quan humbje kohë të flasësh për të.

“Personi që flasim nuk është më prej vitesh në asnjë funksion. Është humbje kohe të kthehemi te kjo çështje”, shtoi Balla.

Ish-kryebashkiaku i Vorës është arrestua më 27 maj në Itali, pasi është kapur me 20 kg kokainë. Arrestimi i tij vjen pas historisë së tij të gjatë me drejtësinë shqiptare.

Kajmaku u zgjodh në krye të Vorës në zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Partia Demokratike denoncoi pak kohë pas marrjes së detyrës së tij se kishte fshehur dënimin në Greqi, duke falsifikuar në këtë mënyrë formularin e dekriminalizimit. Pas nisjes së hetimit, KQZ e shkarkoi atë. Kajmaku u arrestua pas 8 muajsh në arrati në një spital privat në Tiranë dhe një ditë më pas ai u la i lirë. g.v/abcnews.al