Konferenca anti-korrupsion, Kryemadhi: Po të mos ishte në burg, Kajmaku do drejtonte një panel

schedule20:12 - 13 Qershor, 2022

schedule 20:12 - 13 Qershor, 2022

Në një reagim në rrjete sociale për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku me 20 kg kokainë në Itali, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi shkruan se sipas saj Kajmaku do të drejtonte sot një panel te kjo konferenca e qeverisë për korrupsionin, nëse nuk do e kishin arrestuar italianët. Ky reagim ironik i Kryemadhit vjen pas konferencës së parë kombëtare të anti-korrupsionit, të mbajtur sot nga kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e qeverisë.

“Edhe Kajmaku i Vorës do drejtonte një panel te kjo konferenca e qeverisë për korrupsionin, nëse nuk do e kishin arrestuar italianët. Patjetër, sepse të gjithë çfarë janë në burg sot nga Rilindja, më parë kanë qenë “kampionët” e kryeministrit. Reformën në drejtësi e miratuam bashkarisht si klasë politike në vitin 2016, që lufta ndaj korrupsionit të ishte përherë ekskluzivisht fusha e veprimit, e një sistemi të pavarur nga politika, të pa ndikuar nga pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv. Ky i fundit, dmth qeveria, është edhe më i korruptuari!

Ndërkohë që punonjësit civil të çuar me detyrim në takim dëgjuan fjalimin propagandistik të kryeministrit, i gjithë vendi pret me padurim forcën e veprimit të drejtësisë ndaj zyrtarëve të inceneratorëve: një skemë korrupsioni në bashkëpunim, e faktuar në letra dhe firma, që ka përfshirë kryeministrin, zyrën e tij, ministra, kryetar bashkie, biznese të vërtetë dhe fiktivë. Korrupsion qeveritar ka, por duhen profesionistë të pavarur në drejtësi ta luftojnë atë”, shkruan Kryemadhi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!