Shumë studime kanë nxjerrë në pah një sërë përfitimesh që marrim nga kafeja. Një ndër ta lidhet dhe me veshkat. Një studim i kryer nga studiuesit në Shkollën e Mjekësisë Johns Hopkins, kanë arritur në përfundimin se një filxhan kafe në ditë mund të zvogëlojë rrezikun e dëmtimit akut të veshkave.
“Ne tashmë e dimë se konsumimi i rregullt i kafesë ka qenë i lidhur me parandalimin e sëmundjeve kronike dhe degjenerative, si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet e mëlçisë”, tha autori i studimit Dr. Chirag Parikh, Profesor në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins.
Por cili është funksioni i kafesë që e bën atë një “aleat” për veshkat?
Sipas Dr. Chirag Parikh, kjo është për shkak të “përbërjeve biologjikisht aktive në kombinim me kafeinën ose thjesht të vetë kafeinës, e cila përmirëson marrjen e oksigjenit nga veshkat”. Por, ai thotë se nevojiten më shumë studime për të përcaktuar mekanizmat e mundshëm mbrojtës të konsumit të kafesë për veshkat.
/abcnews.al