Askush nuk priste që Tottenham dhe Ajax të ishin në gjysmëfinale të Championsit. Skuadra angleze dhe ajo holandeze janë të papriturat e mëdha të sezonit europian.
Këto skena papritur janë kthyer në modë. Nuk po i bëjnë yjet e jashtëzakonshëm të viteve 70-të, por Ajax i sotëm i disa adoleshentëve dhe 20-vjeçarëve. Nga Mynihu, në Madrid e Torino, skuadra e lavdishme holandeze po triumfon ndaj çdo rivali këtë sezon në Champions edhe pse asnjëherë, askush nuk pati besim tek ajo.
Në fazën e grupeve u përball me Bajernin e Mynihut, duke ndarë pikët me barazimet 1-1 e 3-3, dhe që nga ai moment, analistët nisën të kuptonin se ky nuk ishte më Ajaksi e mëparshëm, që kishte arritur në çerekfinale të Championsit për herë të fundit në 2003, dhe që zakonisht eliminohej që në fazën e grupeve.
Edhe finalja e Ligës së Europës në 2017, ndaj Manchester United të Mourinhos, u quajt thjesht një rastësi. Gjithsesi, me yje tepër të rinj, por thellësisht të talentuar, amsterdamasit vazhduan përpara.
Me kapitenin 19-vjeçar De Ligt, me regjisorin 22-vjeçar De Jong, me mesfushorin De Beek, me Neresin, Zijeçin dhe serbin Tadiç, ata fillimisht i treguan vendin Realit të Madridit, duke e mundur 4-1 në “Bernabeu”.
Në çerekfinale, këtë fat e pati edhe Juventusi i Cristiano Ronaldos, pas barazimit 1-1 në Holandë dhe fitores 2-1 në Torino.
Tashmë, askush nuk mund ta marrë lehtë Ajaksin, madje mendojnë se pesë herë kampionët e Europës, mund ta fitojnë Championsin, ashtu siç bënë brezat e mëparshëm, të Krujfit e Neskensit, apo të Rajkardit, Kluivertit e Davidsit.
Tottenham nuk është një emër kaq I madh në kontinent sa klubi nga Amsterdami, që ka luajtur 10 finale në histori. Edhe pse pati lavdi në fillim të viteve 60-të, 70-të e 80-të, duke fituar edhe tituj në Europë, sërish ekipi nga Londra nuk cilësohet si pjesë e elitës.
Një Kupë Kupash dhe dy Kupa UEFA nuk mjaftojnë.Gjithsesi, nën drejtimin e trajnerit ambicioz nga Argjentina, Maurisio Poçetino, Totenhemi po luan sezonin e jetës. I mbijetoi me sukses grupit të vdekjes me Barcelonën, Interin dhe PSV Eindhovenin, duke dalë në vend të dytë pas fitores me italianët në Londër, dhe barazimit në “Kamp Nou”.
Në turin e dytë, kaloi një tjetër pengesë të fortë si Borusian e Dortmundit, kryesuese në atë kohë në Bundesligë, madje duke e mundur dy herë, 3-0 e 1-0. Çerekfinalet ishin drama më e madhe, një dramë plotësisht angleze, pasi u shortua me favoritin Mançester Siti.
Pavarësisht nga dëmtimi i Harry Kane-t, eliminoi kampionen e Anglisë pas ndeshjes së madhe në Manchester. Trajneri Poçetino thotë se duhet të kesh ëndrra që të arrish tek lavdia, dhe deri tani, Spurs-at po i shohin ëndrrat me sy hapur dhe po i realizojnë ato./abcnews.al