Zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se kushtet e jetesës në Mariupol po përkeqësohen dhe njerëzit atje janë në rrezik nga sëmundjet.
Kryetari i bashkisë së qytetit, i cili nuk është në Mariupol, por jeton në një territor të kontrolluar nga ukrainasit, vlerëson se dhjetëra banorë mund të jenë të sëmurë dhe ky numër pritet të rritet.
Kolera, dizenteria dhe sëmundje të tjera infektive janë tashmë në qytet, por rusët që kanë marrë kontrollin po e fshehin, tha Vadym Boychenko. “Qyteti është mbyllur për karantinë. Askush nuk lejohet të hyjë dhe të dalë”, tha ai.
“Ky është infeksion. Përhapet shumë shpejt. Nuk ka asnjë mënyrë për ta frenuar. Pa mjekë, pa spitale për sëmundjet infektive. Ata kanë shkatërruar një spital të tillë në qytetin tonë, duke përfshirë të gjitha pajisjet. Na kanë vrarë mjekët. Kjo luftë infektive mund të marrë mijëra jetë”, theksoi ai.
Sipas tij, nuk ka raste të dokumentuara të të sëmurëve nga kolera që trajtohen në spitalin e qytetit, pasi nuk ka akses në spital. Megjithatë, Boychenko është i bindur se ka prova të mjaftueshme për një shpërthim kolere në Mariupol. /abcnews.al