Një vajzë 10-vjeçare u arrestua të martën pasi autoritetet thanë se ajo qëlloi për vdekje një grua që po debatonte me nënën e saj, sipas Departamentit të Policisë së Orlandos.
Fëmija u vendos në kujdestarinë e Departamentit të Fëmijëve dhe Familjeve në Florida, sipas policisë.
Në një deklaratë pas të shtënave, prokurorja e Shtetit për qarqet Orange dhe Osceola, Monique H. Worrell tha se zyra e saj ka filluar shqyrtimin e çështjes dhe do “të marrë parasysh të gjitha faktet, duke përfshirë moshën e fëmijës dhe të gjitha rrethanat përreth.”
“Duam të jemi të qartë në deklarim se asnjë vendim për akuzë nuk është marrë nga zyra jonë”, thuhet në deklaratën e prokurorit të shtetit.
Nëna e fëmijës është gjithashtu në paraburgim, sipas policisë së Orlandos.
Dëshmitarët i thanë policisë se të shtënat ndodhën natën e 30 majit, kur nëna e fëmijës dhe viktima, Lashun Denise Rodgers, 41 vjeç, filluan të debatonin jashtë një kompleksi apartamentesh, sipas një raporti.
Fëmija ishte me nënë e saj në momentin e debatit, shkruan CNN.
Nëna dyshohet se nisi një përleshje fizike duke goditur Rodgers,e cila u hakmor duke e goditur me grusht në shpinë, thuhet në raportin e arrestimit, duke cituar të dashurin e viktimës si dëshmitar.
Më pas ai thuhet se e pa fëmijën duke mbajtur një armë zjarri përpara se të qëllonte.
Fëmija më pas dyshohet se bërtiti “ajo nuk duhet ta kishte qëlluar mamanë time.”
Rodgers u dërgua në Qendrën Mjekësore Rajonale të Orlandos ku më vonë vdiq, sipas zëdhënëses së policisë Heidi Rodriguez.
CNN ka kontaktuar me avokatin e nënës së fëmijës, por nuk ka marrë përgjigje. CNN nuk ka qenë në gjendje të marrë informacionin e avokatit për fëmijën e përfshirë. Policia tha se hetimet janë duke vazhduar./abcnews.al/