Gazetarja e Abc, Linda Karadaku, ka udhëtuar drejt Ohrit, ku ditën e nesërme pritet të zhvillohet takimi i radhës për “Ballkanin e Hapur”.
Në një lidhje me “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, Karadaku tha se risia këtë herë është se të pranishëm një takim janë edhe kryeministri i Malit të Zi, Abazoviç, si dhe ai i Bosnje Hercegovinës, pavarësisht se ndodhen aty vetëm në rolin e vëzhguesit.
Sa i përket deklaratave të bëra nga ministri rus Sergei Lavrov, se “Ballkani i Hapur” është një nisme serbe dhe se ai e mbështet atë, Karadaku tha se në takimin që pati me ambasadorin amerikan në Beograd, ky i fundit është shprehur se deklarata e Lavrov nuk janë të vërteta, janë thjeshtë sarkastike.
Ndërkohë Karadaku theksoi se edhe në këtë takim nuk ka asnjë përfaqësues të Kosovës, duke shtuar se në rast se vijon të mbetet kështu, Kosova rrezikon të izolohet jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht.
Pjesë nga biseda:
Karadaku: Jemi në Ohër ku tashmë kemi parë që të gjithë drejtuesit e lartë të vendeve të Ballkanit që nuk janë anëtarë të BE-së, por janë në rrugë për tu bërë anëtarë, kanë mbërritur këtu. Ka mbërritur i pari Vuçiç, pastaj Abzaoviç, Rama dhe kryeministri i Bosnjës. Të gjithë janë këtu, përveç Kosovës e cila ka një qëndrim të qartë që është kundër “Ballkanit të Hapur”. Ndërkohë pritet që pas darkës ku liderët kanë shkuar, pritet të nënshkruhen katër marrëveshje, që kanë të bëjmë me arsimin, bashkëpunimin kulturor, çështje ekonomike dhe kanë të bëjnë gjithashtu me turizmin që është një fushë shumë e rëndësishme për të gjitha vendet e rajonit.
Xhokaxhi: Dritan Abazoviç dhe kryeministri i Bosnjës janë në pozicion vëzhgues?
Karadaku: Qoftë Tegeltia qoftë Abazoviç, janë të dy të ftuar nuk janë anëtarë. Ajo që ishte jo e pazakontë por e re, është pjesëmarrja qoftë e Malit të Zi qoftë e Bosnjë Hercegovinës. Në vendet respektive janë kundër Ballkanit të Hapur. Në Malin e Zi presidenti është kundër, edhe në Bosnje e njëjta gjë. Por pjesëmarrja e dy kryeministrave tregon që ka një lloj mbështetjeje. Para Ballkanit të Hapur patëm një deklaratë të ministrit rus Lavrov, i cili tha se ishte pro Ballkanit të Hapur dhe ishte një nismë serbe. Kjo ishte një goditje shumë e fortë. I pranishëm në këtë takimi ishte dhe ambasadori amerikan në Beograd, ai tha se jam këtu për të mbështetur nismat. E pyeta se edhe ju e mbështesni Ballkanin e Hapur, edhe Lavrov, më tha se Lavrov nuk e do Ballkanin e Hapur, ai është thjeshtë sarkastik.
Xhokaxhi: Për ta thanë hapur që kjo nismë është e mirë, nuk e thotë hapur askush, si e shpjegon?
Karadaku: Ajo që thonë të gjithë është mbështetja për bashkëpunimin rajonal, nuk ka asnjë arsye përse mos e mbështesë bashkëpunimin rajonal. Për Ballkanin e Hapur, Eskobar ka thënë se të gjitha vendet e rajonit duhet të jenë pjesë e nismës, por të gjithë duhet të trajtohen si të barabartë. Pikëpyetja që ne kemi ngritur se nëse Kosova do të ishte pjesë e nismës, a do ta pranonte Serbia ta njihte si të barabartë? Se nëse kjo ndodh do të thoshte se Serbia do e njihte defakto Kosovën. Tani topi është në fushën e Serbisë, as Shqipëria dehe asnjë nga vendet e tjetra nuk mund të sillen sikur ky problem mes Kosovës dhe Serbisë nuk ekziston. Pamja që shoh këtu nuk është e këndshme, pasi nuk ka asnjë asnjë përfaqësues të Kosovës, mund të them se nëse vazhdon kështu kjo do të sillte jo vetëm izolim ekonomik të Kosovës, por edhe izolim politik.
/Abcnews.al/