Gazetari Artan Hoxha foli në Abc Live në lidhje me zjarrin që vijon prej katër ditësh në ishullin e Sazanit duke theksuar se Shërbimi i Emergjencave Civile është tepër i dobët në vend duke patur pajisje si edhe fonde minimale, ndërkohë që sipas tij, hapësira më e madhe pyjore në vend administrohet nga bashkitë e vogla.
“Zjarri ka filluar mbrëmjen e së shtunës. U mendua se do të shuhej vetë, por mos ndërhyrja dhe mungesa e pajisjeve ka shkrumbuar çfarë ka mundur atje. Nëse nuk do të ishte ndërhyrja e avionit nga grëqia situata mund të ishte përkeqësuar. Ka një avantazh për mjetet nga ajri sidomos për zona që janë në breg të detit sepse mund të mbushet shumë lehtë. Neve vjet na u përvëlua Karaburuni dhe nuk e shuam dot”, tha Hoxha.
Hoxha tha në studio se zakonisht në Shqipëri digjen pyjet dhe malet ku nuk ka kultivim të kanabisit, pasi në rastet kur kjo ndodh, atëhere janë vetë kultivuesit që mbrojnë pyjet nga zjarri.
“Në zonat ku ka kultivim të kanabisit nuk ka zjarre. Çuditërisht malet që digjen janë zona që nuk kanë kultivim kanabisi. Me sa duket ata që kultivojnë kanabis aty dhe nuk lejojnë zjarre. Zjarret vijojnë nga dora e njeriut dhe jo nga natyra. Te Parku i Hotovës, një bari kishte vënë zjarr në pyll dhe brenda dy orësh çdo kafshë pune dhe çdo mjet u vu në dispozicoin për fikjen e zjarrit, sepse nëse do të avanconte zjarri mund të zbulonte parcela me kanabis. Çdo e keqe e paska nga një të mirë nga pas”, tha Hoxha. /abcnews.al