Begaj për President, Salianji: Nuk do të marr pjesë në procesin e votimit

schedule17:54 - 4 Qershor, 2022

schedule 17:54 - 4 Qershor, 2022

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka deklaruar para mediave pasditen e së shtunës se nuk do të marrë pjesë në procesin e votimit të kandidatit për president të Bajram Begajt. Duke hequr dorë nga bojkotet, deputeti demokrat do të jetë prezent në sallë, por si duket nuk do të votojë.

“Jam këtu për të respektuar institucionet. Nuk do të marr pjesë në votim. Nuk është bojkot. Janë taktika parlamentare që njihen. Nuk do të marr pjesë në procesin e votimit. Por nuk jam për bojkot.”

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe deputetja demokrate Grida Duma e cila u shpreh se opozita nuk duhet ta bojkotonte seancën e sotme parlamentare ku do të zgjidhet Presidenti i ri.

“Kam qenë kundër bojkoteve edhe në momentet më jetike të PD-së. Edhe në ato momente me gjithë dyshimet që kam pasur, kam bërë kritikë ndaj bojkoteve. Institucionet kanë peshën e vet dhe për këtë arsye e vetmja gjë që na çon drejt një force politike serioze është të heqim dorë nga bojkotet.”

Edhe Fatmir Mediu është shprehur se grupoi që ai përfaqëson nuk do të marrë pjesë në votimin e Bajram Begajt për President. Sipas Mediut, Bajram Begaj është një figurë me integritet të lartë profesional, por problemi qëndron tek mazhoranca e cila sipas tij, nuk e ka konsultuar këtë kandidaturë me opozitën.

Ndërsa, ajo e pjesë e PD-së që mbështet Sali Berishën kanë deklaruar tashmë që bojkot nuk do të ketë, por se çdo kandidat i Edi Ramës do të votohet kundër prej tyre. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!