SHBA/ Sulmi me 4 të vrarë në spital, autori shënjestroi mjekun që e operoi: Ishte planifikuar

schedule06:00 - 3 Qershor, 2022

schedule 06:00 - 3 Qershor, 2022

Katër persona mbetën të vrarë  si pasojë e të shtënave me armë në një spital në Oklahoma, SHBA.

Oficerët konfirmuan se autori i dyshuar, i cili ishte i armatosur me kallashnikov dhe pistoletë, mbeti gjithashtu i vdekur.

Sipas policisë, personi i armatosur që vrau 3 punonjës dhe 1 pacient në spital kishte në shënjestër kirurgun që kreu operacionin e tij në shpinë.

Dr Preston Phillips u vra në sulmin e së mërkurës, sipas zyrtarëve të qytetit Tulsa.

Policia i identifikoi viktimat e tjera si Dr Stephanie Husen, Amanda Green dhe William Love, në një konferencë shtypi të enjten.

Lexo edhe: Të shtëna me armë në një spital në SHBA, 4 të vdekur

Autori kishte blerë një pushkë gjysmë automatike të stilit AR15 vetëm disa orë para të shtënave, dhe gjithashtu ishte i armatosur me një pistoletë, tha policia.

Shefi i policisë së Tulsa, Wendell Franklin tha se burri “fajësoi Dr Phillips për dhimbjet e vazhdueshme” pas operacionit që bëri në Spitalin St Francis më 19 maj.

Pas daljes së tij nga spitali, i dyshuari “telefonoi disa herë gjatë disa ditëve duke u ankuar për dhimbje dhe duke kërkuar trajtim shtesë”, tha Franklin.

Është e paqartë nëse ai ka marrë ndihmë të mëtejshme, shkruan BBC.

Ai shtoi se një letër e marrë nga skena e krimit e bënte të qartë se i dyshuari “hyri me qëllim për të vrarë Dr Phillips dhe këdo që e pengonte”.

“Ajo letër na tregoi historinë. Kjo ishte planifikuar,” tha Franklin.

Policia thuhet se mbërriti në ndërtesën mjekësore tre minuta pasi u njoftua për incidentin të mërkurën pasdite.

Dhjetë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, shtuan zyrtarët./abcnews.al/