Mundësia e anëtarësimit të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian deri në vitin 2025, nuk është aspak reale. Deklarata vjen nga ish zv/ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit Brajan Hot Yee.
Para vitit 2025, disa vende të Ballkanit Perëndimor bëjnë mirë të mësohen me idenë se nuk mund të jenë ende anëtare të Bashkimit europian. Është ky thelbi i deklaratës së bërë nga ish-zëvendës-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Brian Hoyt Yee.
Gjatë fjalës së tij në Institutin Ndërkombëtar Republikan në Uashington, me temën: ‘Zgjidhja e së pazgjidhurës në Ballkanin Perëndimor’, ai tha ndër të tjera se anëtarësimi i disa vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2025 nuk është real.
Yee theksoi se bashkësia ndërkombëtare momentalisht nuk ka strategji të qartë për Ballkanin Perëndimor dhe se as Bashkimi Europian dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po i kushtojnë rajonit rëndësinë që do të duhej.
Hoyt Yee ishte një nga aktorët kryesorë të arritjes së marrëveshjes mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës gjatë krizës politike të vitit 2017.
Ndërsa përsa i përket takimit të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron në Berlin, ai tha se nuk është vendimtar për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, por gjithësesi mbetet një shans për të biseduar. /abcnews.al