Bashkimi Europian ra dakord të ndalojë 90% të importeve të naftës ruse deri në fund të vitit, sipas një njoftimi të drejtuesve të Këshillit Europian, shkruan CNN.
Nafta ruse e dërguar me cisterna do të ndalohet, ndërsa do të bëhet një përjashtim për segmentin jugor të tubacionit Druzhba, tha në një konferencë për shtyp Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Segmenti verior i gazsjellësit i shërben Polonisë dhe Gjermanisë, të cilat kanë rënë dakord për embargon. Von der Leyen tha se do të bëhet një përjashtim për segmentin jugor, i cili përbën 10% të importeve të naftës ruse.
“Ne kemi bërë një deklaratë të qartë politike nga Polonia dhe Gjermania se ata, si të tjerët, do të bllokojnë naftën ruse deri në fund të vitit”.
Von der Leyen shtoi se liderët e BE-së do të vazhdojnë të takohen për të diskutuar detajet e embargos së naftës dhe pjesë të tjera të paketës së sanksioneve.
“Këshilli Europian pajtohet që paketa e gjashtë e sanksioneve kundër Rusisë do të përfshijë naftën e papërpunuar, si dhe produktet e naftës, të dërguara nga Rusia në shtetet anëtare, me një përjashtim të përkohshëm për naftën bruto të dërguar nga tubacioni”, tha Këshilli Europian në një deklaratë.
Von der Leyen tha se do të rritet përdorimi i tubacionit të naftës Adria në Kroaci për të furnizuar me naftë Hungarinë. Ajo shtoi se rafineritë e Hungarisë do të duhet të përditësohen për të marrë naftën nga Kroacia.
“Është një hap i madh përpara ai që bëmë sot. Sepse ne kemi bllokuar eksportin e qymyrit – dhe kjo ishte tashmë shumë e vështirë. Tani ne në thelb kemi marrëveshjen politike, si të heqim dorë nga nafta në një afat kohor të qartë”, tha von der Leyen.
/abcnews.al