Projekti i rijetëzimit të Piramidës dhe kthimit te saj në një qendër të madhe të teknologjisë u prezantua ne prani te kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj. Sipas kryeministrit Piramida do kthehet në pikë referimi në rajon dhe me gjerë.
Nga relikë e së shkuarës Piramida në Tiranë do të kthehet në qendrën më të madhe të inovacionit në rajon. Ajo do të jetë një godine transparente ndërsa parku do te depërtojë në ndërtesë.
Arktiekti Winy Mass prezantoi projektin e rijetëzimit te saj ndërsa tregoi se synimi është që Piramida të jetë e arritshme për të gjithë. Me këtë projekt sipas kryeministrit Edi Rama merr fund një dileme gati 30 vjeçare.
“Duke i falënderuar të gjithë për punën e bërë deri tani, sepse na jep mundësi të zgjidhim një dilemë shumë torturuese për vite të tëra, një varr i hapur në mes të Tiranës, një godinë me barrë të rëndë historie dhe trashëgimie, por dhe me potencial të jashtëzakonshëm për të rilindur, që rilind falë këtij ekipi.”
Ndërkohë Tirana do të kthehet në pikë referimi ne Ballkan dhe me gjere pasi sipas Kryeministrit Rama është vendi i tretë që përfaqëson këtë model.
“Më rezulton se jemi vendi i tretë që e përqafojmë këtë model, e sigurisht në këtë konfiguracion nuk mund të mungojë Lali Eri dhe ambicia e tij për ta bërë gati këtë godinë për Samitin Digjital të vitit të ardhshëm. Kjo godinë, për shkak jo thjesht arkitekturës, por edhe të programit që do përmbajë, mund të jetë në të ardhmen një pikë referimi jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, se si një shoqëri dhe një vend i vogël pa shumë fuqi i drejtohet botës së re digjitale dhe ndërton një shembull që ka impakt global, për nga mënyra e afrimit te e reja dhe e të rinjve drejt kësaj bote”.
Dy muajt në vijim bëri të ditur kryetari i Bashkisë Erion Veliaj do të finalizohen detajet dhe skicat fianale për të vijuar me pas me pastrimin e saj dhe fillimin e punës.
“I kemi të gjithë përbërësit për një tjetër histori suksesi: Mbaj mend që Pazarin e Ri e bëmë për 7 muaj – vërtet morëm një vit ta konceptonim, por mbaroi për 7 muaj. Sheshi mori 10 vite të konceptohej, por mbaroi për më pak se një vit. Unë besoj se kur ne shqiptarët bashkëpunojmë, kur nuk i vëmë stërkëmbësha njëri-tjetrit, mund të bëjmë mrekulli. Jam i bindur se Piramida, jo vetëm nga ana arkitekturore, do të jetë një tjetër mrekulli e një muzeu shëtitës, siç po kthehet sot Tirana, por do të jetë ndoshta epiqendra më kreative për të rinjtë shqiptarë, që duan të marrin këtë shkollim alternativ”./abcnews.al