Pas kërkesës së Gazment Bardhin, në Komisionin e Ligjeve është rrëzuar kandidatura e Simon Mirakës për anëtar të Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Lajmin e konfirmoi në një dalje për mediat kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ky i fundit tha se arsyeja se përse është rrëzuar kandidatura e Mirakës, është firma e Sali Berishës.
Sipas Ballës, PS po i bën nder Simon Mirakës pasi nuk është në të mirën e tij që në listën e mbështetësve të kandidaturës së tij të jetë emri i Berishës. Ai tha se nëse nga lista do të hiqet emri i ish-kryeministrit, ndoshta Miraka atëherë mund të marrë mbështetjen e mazhorancës.
“Për katranin me bojë e kam thënë. Dua të sqaroj një element se u krijua një stuhi në gotë, lidhur me një procedurë të ndjekur nga Ligjet, për kandidaturat për dosjet e ish-sigurimit të shtetit. Ka pasur në akuzë të sekretarit të përgjithshëm të PD, Bardhi. Dua të sqaroj se sa i përket kandidaturës së Simon Mirakës, ne e kemi votuar disa vite më parë, kandidon për një mandat të dytë, e ne nuk kemi asgjë me të. Kemi konstatuar se, deputetët që kanë propozuar, është përfshirë edhe katrani me bojë dhe e ka bërë pis emrin e zotit Miraka. Dhe për ne është e pamundur që ai të marrë mbështetjen tonë në Kuvend. Në aspektin tonë, sot të kandidosh për anëtar të autoritetet të verifikimit të dosjeve, dhe të marrësh firmën e Berishës, është njëlloj si të kishe në diktaturë mbështetjen e Sigurimit të Shtetit. Sa kohë që në një dokument shfaqet firma e katranit me bojë, dhe në rastin në fjalë është e rëndë. Si mund të marrësh firmën e një personi që është si Sigurimi në diktaturë. I kërkoj Mirakës, të pastrojë listën e emrave nga katrani me bojë.”
Kurse, sa i përket çështjes së Presidentit, me djegien e raundit të tretë, Balla tha se tashmë mazhoranca duke ndjekur rregullat do të nisë të mblidhet e të diskutojë për kandidaturat.
“Ne kemi disa rregulla, do të bëjmë një diskutim në Kryesi, e më pas në Grupin Parlamentar ku do të marrim mbështetjen me firma për kandidatin. Ne kemi 74 mandate, dhe ajo që është e rëndëssishme është që ky proces po shkon drejt përfundimit dhe dëshira jonë ka qenë që palët të kontribuojnë. Dhe kjo do të bëhej me propozime konkrete. Nesër mblidhet Konferenca e Kryetarëve dhe deri nesër, do të marrim kohën e nevojshme, të propozojmë raundin e katërt.”
Ndërsa tha se shpreson që raundi i katërt të jetë edhe përfundimtari, Balla shtoi se mazhoranca po bën gjithçka që kandidati për president të marrë më shumë vota nga sa janë të nevojshme në këtë pikë të procedurës. /abcnews.al/