Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, një muaj pasi ishte shtruar në gjendje të rëndë në një spital në Gjermani.
Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.
Siç ka raportuar Abcnews.al Nishani u paraqit në Sanatorium me shenja pneumonie në të dyja mushkëritë për shkak të kalimit të koronavirusit, i cili kishte lënë pasoja të tjera shëndetësore. Pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, më 22 prill, Nishani u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit pranë familjarëve në moshën 56 vjeçare.
Burime për Abc bënë me dije se Nishani ka pasur fibrozë post COVID, të cilat i kanë shkaktuar ulje të nivelit të okrigjenit në gjak si edhe parametra të tjera problematikë duke bërë të domosdoshme dërgimin e tij jashtë.
Lexo edhe: U shtrua në Sanatorium, Bujar Nishani niset për kurim në Gjermani
Nishani u lind më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit. Mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017. E gjithë karriera e tij politike ka kaluar nëpër disa etapa: në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.
Në korrik të vitit 2005, Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike. Nga marsi 2007–shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit. Në 24 korrik 2012, Nishani u betua në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.
I njohur për një maturi publike, Nishani ishte presidenti i gjashtë i Shqipërisë. Ai ishte angazhuar për orientimin pro-evropian të Shqipërisë dhe ishte përkrahës i reformave për anëtarësimin e shtetit të tij në Bashkimin Evropian. Ishte avokues për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe të përfshirjes së Kosovës në nismat rajonale për të forcuar stabilitetin në rajon dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Redaksia e Abcnews.al i shpreh ngushëllimet familjarëve për humbjen e madhe!
/abcnews.al