Kërkesa e shqiptarëve për të studiuar jashtë vendin është në rritje. Nga të dhënat paraprake të Ministrisë së Arsimit rreth 9 mijë maturantë kanë deklaruar në formularin A1, se kanë nisur me procedurat e njehsimit të diplomave. Ndërkohë që kjo shifër pritet të jetë më e lartë, pasi ky proces mbyllet në Shtator. Shqipëria renditet e para në rajon për numër më të lartë të studentëve që zgjedhin për të studiuar jashtë, në raport me numrin e banorëve.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të UNESCO-s, vitin që shkoi 17 mijë e 397 të rinj shqiptarë studiuan jashtë vendit, prej tyre mbi 10 mijë vetëm në Itali. Ndërsa destinacioni i dytë është Greqia me 1 633. Në këto dy shtete janë të përqendruar rreth 80% e studentëve shqiptarë. Megjithatë numri i atyre që zgjedhin universitetet në dy vendet fqinje është ulur ndjeshëm krahasuar me disa vite më pare. Sipas UNESCO-s kjo vjen për faktin se shqiptarët ashtu si të rinjtë në botë, zgjedhin të studiojnë në vendet e Europës Perëndimore. Studentët shqiptarë janë përqendruar edhe në Shtetet e Bashkuara, ku studiojnë 715 të rinj, Gjermani 600, Franca 481, Austria 364, si dhe Mbretëria e Bashkuar me 260 studentë, më tej vinë Belgjika, Holanda, Norvegjia, Finlanda, si dhe Suedia.
Ndërkohë që vihet re një tendencë në rritje e të rinjve që zgjedhin të studiojnë në Turqi dhe vendet arabe. Nga 471 të rinj që ndiqnin studimet në vitin akademik 2015-2016 në Turqi, numri i tyre ka arritur në 886.
Largimi i të rinjve është një alarm, pasi fatkeqësisht pjesa më e madhe e tyre nuk rikthehen më në Shqipëri për të dhënë përvojën e fituar në universitetet jashtë vendit.
Klan Plus