Ushtria izraelite dyshohet se vrau qëllimisht gazetaren e Al Jazeera, Shireen Abu Akleh teksa dokumentonte një bastisje të ushtrisë së tyre në Bregun Perëndimor më 11 maj. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur prokurori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar Palestinez, që e cilësoi vrasjen si një krim lufte, shkruan Al Jazeera.
Raporti i hartuar nga prokurori nuk lë vend për dyshime: sipas hetimeve, ushtarët e kanë goditur në kokë gazetaren dhe më pas kanë qëlluar sërish për të mos lejuar të pranishmit ta shpëtojnë. Të gjitha këto fakte të kryera nga ushtria izraelite dhe të vërtetuara me prova të pakundërshtueshme përbëjnë elementet e vrasjes së gazetares, sipas prokurorisë së përgjithshme palestineze.
Hipoteza e një sulmi të qëllimshëm ndaj gazetares ishte ngritur tashmë nga dëshmitarët e ngjarjes dhe u konfirmua së fundmi dhe nga një investigim i CNN.
Autoritetet izraelite kishin kërkuar një hetim të përbashkët, që nuk u realizua si pasojë e mungesës së besimit nga ana e palestinezëve, ndërsa ushtria e Tel Avivit nuk kishte marrë përgjegjësi për incidentin, duke pretenduar se nuk kishte elementë të mjaftueshëm për një tezë përfundimtare.
Një kopje e raportit tashmë i është dërguar qeverisë amerikane -Shireen Abu Akleh kishte nënshtetësi amerikane si dhe shtetësi palestineze – dhe një tjetër do t’i vihet në dispozicion kanalit televiziv Al Jazeera, për të cilin Shireen Abu Akleh ndoqi tensionet në zonë.
Rrjeti, me seli në Katar, ka njoftuar se synon ta çojë çështjen para Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, me një ekip avokatësh dhe ekspertësh ndërkombëtarë, në mënyrë që autorët e vrasjes t’i përgjigjen drejtësisë dhe të marrin dënimin që meritojnë.
Shireen Abu Akleh ishte 52 vjeç dhe kishte një reputacion të shkëlqyer si gazetare në botën arabe. Qindra njerëz morën pjesë në funeralin e saj më 13 maj.
/abcnews.al