Task-Forca e Transportit Rrugor ka intensifikuar kontrollet në linjat e transporit të udhëtarëve. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që nga fillimi i muajit 160 subjekte janë gjobitur për shkelje të ligjit.
Mjetet e transportit të udhëtarëve janë nën vëzhgim.
Task- Forca e Transporit Rrugor ka intensifikuar kontrollet me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit, goditjen e paligjshmërisë dhe eleminimin e konkurencës së pandershme.
Që në fillim të muajit inspektorët në mënyrë të befasishme kanë monitoruar linjat ndërqytetase dhe ndërkombëtare në segmentet kryesore rrugore kombëtare dhe terminalet me fluksin më të lartë të trafikut.
Gjatë kontrolleve të ushtruara sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë rreth 160 subjekte janë konstatuar me shkelje të rënda, kryesisht, “ndryshim destinacioni”, pa “akt vlerësimi komoditeti” dhe në shumë raste me mungesë dokumentacioni.
Për të gjitha rastet ministria bën të ditur se janë marrë masa përkatëse administrative.
Aksioni që nuk do të ndalet vjen pak ditë pas takimit të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku me përfaqësuesit e transportit publik ndërqytetas dhe ndërkombëtar që operojnë në vendin tonë të cilët i siguroi se problematikat e ngritura prej tyre do të marrin zgjidhje./abcnews.al