Në meshën e Pashkës, besimtarët francezë janë lutur për një rindërtim të shpejtë të Katedrales Notrë Damë, që u dëmtua rëndë nga zjarri i së hënës së kaluar.
Në mungesë të një katedraleje, disa qindra parizienë u mblodhën të dielën në një kishë të vogël të kryeqytetit francez për ditën e Pashkës, ku dhe u lutën për një rindërtim të shpejtë të Notrë Damë. Arqipeshkvi i Parisit, Mishel Opetit e nisi shërbesën duke ngritur një paralele mes rikonstruksionit të katedrales dhe ringjalljes së Jezu Krishtit nga vdekja, që festohet çdo vit nga të krishterët katolikë. “Ne do të ngrihemi sërish! Katedralja jonë do të ngrihet sërish”, tha arqipeshkvi përpara të pranishëmve, mes të cilëve kryebashkiakja e Parisit, An Hidalgo dhe shefi i repartit të zjarrfikësve, gjenerali Zhan Klod Golet. Mesha ishte planifikuar të mbahej në katedralen Notrë Damë, pjesa e sipërme e së cilës u shkatërrua nga zjarri që ra ditën e hënë, kur zjarrfikësit vunë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar artefaktet me vlerë të godinës shekullore. Për këtë arsye, gjatë meshës gjenerali Golet u nderua me 1 minutë duartrokitje nga të pranishmit dhe iu dhurua një Bibël nga katedralja që i kishte shpëtuar flakëve. Presidenti Emanuel Makron deklaroi më herët gjatë javës se Franca do ta rindërtojë katedralen e saj në 5 vjet dhe se vetë populli francez do të bashkohet për të riparuar simbolin kombëtar. /abcnews.al