Kristiano Ronaldo vendos rekordin pas fitores me Juventusin

schedule13:56 - 21 Prill, 2019

schedule 13:56 - 21 Prill, 2019

Kristiano Ronaldo vendos rekord pas titullit të fituar me Juventusin. Ylli portugez është i vetmi në histori që ka triumfuar në Angli, Spanjë dhe Itali.

Askush si ky superyll.

Lionel Mesi mund të jetë gjeniu i futbollit botëror, por si Kristiano Ronaldo nuk ka të dytë në planet.

Fitoi edhe titullin në Serinë A, duke u bërë i vetmi lojtar në histori që ia del edhe në Itali, pasi triumfoi në Angli dhe në Spanjë, pra në tri ligat më të mëdha të botës.

E filloi në Angli në vitin 2007 duke marrë tre Premier Liga radhazi.

E vazhdoi në Spanjë, me titujt në La Liga në 2012 e 2017, për ta përfunduar në Torino.

Fitorja 2-1 ndaj Fiorentinës e bëri titullin matematikisht të fituar, një sukses i jashtëzakonshëm edhe për CR7-ën edhe pse nuk shënoi gol.

Dyshimi i madh i tifozëve ishte për fatin e Ronaldos sezonin e ardhshëm.

“Do të qëndroj këtu me 1 000 për qind, jam shumë i lumtur, arrita ta fitoj titullin sapo erdha. Një vit i madh, pasi fituam edhe Superkupën. Sezonin e ardhshëm do të shkojë më mirë edhe në Champions” , ishin fjalët e portugezit.

Më pas, në Instagram, kampioni portugez postoi foton e festimit, duke u premtuar tifozëve se ky është vetëm fillimi.

I mësuar me trofe, Kristiano dëshiron të mos ndalet edhe në moshën 34-vjeçare, ndërsa ka mbërritur në kuotën 27 të titujve me klubet.

Mediat sportive italiane mburrën portugezin dhe Juventusin.

La Gazeta delo Sport”: Juventusi fillon nga numri 8! Fiton titullin e 8-të radhazi! CR7: Qëndroj këtu me 1 000 për qind!

“Tutosport” rreshton sukseset radhazi që nga viti 2012 dhe titullon: Titull i pafund! Juventus femra, dyfishin përrallor!

Ishte pra, edhe skuadra e vajzave që fitoi titullin kampion në Itali, të dytin radhazi, pasi mundi 3-0 Helas Veronën në fushën e kësaj të fundit.

Ishte një triumf i vështirë, me vetëm një pikë më shumë sesa Fiorentina.

Juventusi pra duket në formë për meshkuj e për femra./abcnews.al