Elon Musk, Twitter dhe pendesa epike e një blerësi

schedule13:13 - 20 Maj, 2022

schedule 13:13 - 20 Maj, 2022

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Elon Musk  sugjeroi se ai mund të prezantojë një buton editimi(ndryshimi) në Twitter, për t’i lejuar përdoruesit të ndryshojnë tweet-et që mund të kenë përmbajtje jo të përshtatshme.

Ai në fakt shprehu dëshirën që një gjë e tillë të ekzistonte tashmë. Më pak se një muaj pasi postoi në Twitter se ai priste me padurim të tregonte “potencialin e jashtëzakonshëm” të rrjetit social si pronar i tij i ardhshëm, më 13 maj ai u tha 94 milionë ndjekësve të tij se marrëveshja ishte lënë pezull.

Sipas Musk, atij i duhej kohë për të vërtetuar pretendimin e Twitter se jo më shumë se 5% e përdoruesve të tij janë llogari të rreme që përdoren për spamming. Pa pasur prova për këtë tha ai, marrëveshja do të mbetet pezull.

Drejtori i Përgjithshëm i Twitter, Parag Agrawal, postoi një vlerësim në lidhje me deklaratën e Musk, ndërsa Musk nga ana tjetër iu përgjigj vetëm me një emoji  “po”. Është e vështirë të identifikosh llogaritë e rreme. Ata mund të përbëjnë më shumë se 5% të përdoruesve të Twitter.

Por tingëllon si një justifikim për anulimin e blerjes së Twitterit prej 44 miliardë dollarësh, sipas Dan Ives nga Wedbush Securities, një firmë investimi.

Ka sigurisht disa arsye pse Musk mund të ketë marrë këtë vendim. Vlera e aksioneve të teknologjisë ka rënë që nga shpallja e marrëveshjes me Twitter më 25 prill.

Musk ra dakord të paguante 54.20 dollarë për aksion.  Këtë javë aksionet e Twitter janë shitur deri në 37 dollarë. Jo vetëm që Musk mund të jetë i frikësuar nga shuma e tepërt, por  rrezikon gjithashtu të dëmtojë interesat e tij shumë më të mëdha.

Tesla, kompania e tij e makinave elektrike dhe burimi i pjesës më të madhe të pasurisë së tij, ka humbur 29% të vlerës së saj të tregut – 305 miliardë dollarë që nga plani për blerjen e Twitterit.

Investitorët janë të shqetësuar se rrjeti social mund të shihet si një shpërqendrim për Musk, i cili ka treguar se ai mund të shërbejë si shefi ekzekutiv i përkohshëm. Mund të dëmtojë gjithashtu biznesin e Tesla-s në Kinë, ku Twitter është pezulluar momentalisht.

Bordi i Twitter thotë se synon të zbatojë marrëveshjen për blerjen e Twitterit.  Por është në një pozitë të vështirë. Detyrimi i Musk për të përmbushur ofertën e tij do të kalonte në gjykatë që do të zgjaste për disa muaj por pa garanci për sukses.

Për momentin nuk ka asnje blerës. Nëse nuk arrihet marrëveshja, çmimi i aksioneve të Twitter do të bjerë nën 30 dollarë, sipas Ives, i cili beson se Musk shpreson të përdorë këtë levë për të negociuar një çmim më të ulët.

Ndryshe nga postimet e tij në Twitter, miliarderi mund të jetë ende në gjendje të ndryshojë kontratën.

/abcnews.al