Demokratët në Shtetet e Bashkuara nuk janë mjaftuar me versionin e redaktuar të raportit mbi ndërhyrjen ruse që u publikua ditën e enjte. Përmes një thirrjeje zyrtare, ata i kanë kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm që të ofrojë versionin real të dokumentit të hartuar nga Robert Myler.
Një thirrje që kërkon publikimin e versionit të plotë të raportit mbi ndërhyrjen ruse gjatë zgjedhjeve të 2016-s është kërkuar nga demokratët në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se versioni i redaktuar e lë Kongresin në errësirë.
Kongresmeni Xherri Nedller, kryetar i komisionit parlamentar për gjyqësorin, ka deklaruar se demokratët kanë të drejtë të pajisen me një raport të paredaktuar. Zoti Nedller e shpalli thirrjen për publikimin e raportit të plotë ditën e premte, duke i dhënë prokurorit të përgjithshëm Uilliam Berr kohë deri më 1 Maj për t’u përgjigjur.
“Komisioni parlamentar i çështjeve gjyqësore gëzon të drejtën dhe tagrin për t’u pajisur me versionin e plotë”, ka sqaruar Nedller.
Sipas tij, redaktimi të cilit i është nënshtruar raporti është i thellë dhe nuk paraqet asnjë nga provat e mbledhura nga hetuesi i posaçëm Robert Myler. Demokratët i kanë bërë gjithashtu thirrje vetë zotit Myler që të dëshmojë përpara Kongresit për punën që ka bërë.
Ata kanë kritikuar edhe prokurorin e përgjithshëm Uilliam Berr, duke e akuzuar për keqinformim me publikimin e përmbledhjes së mëhershme të raportit. Ditën e enjte, Berr mbajti një konferencë shtypi përpara se raporti i redaktuar të publikohej, gjatë të cilës mbështeti presidentin./abcnews.al