Tomas Strakosha tregon sesi priti penalltinë ndaj Udinezes

schedule19:00 - 18 Prill, 2019

schedule 19:00 - 18 Prill, 2019

Tomas Strakosha tregoi sesi e priti penalltinë në ndeshjen ndaj Udinezes në Serinë A. Portieri shqiptar ishte vendimtar në fitoren e rëndësishme, ndërsa uroi Edi Rejën si trajner të kombëtares

Stadiumi gjysmë i boshatisur tregonte shumë.

Lacio nuk i kishte kënaqur plotësisht tifozët e saj, por më në fund i dhanë rast të gëzoheshin dhe t’i afroheshin Championsit, falë edhe një shqiptari.

Tomas Strakosha, portieri i kombëtares kuqezi, u bë sërish i rëndësishëm duke pritur penalltinë e Udinezes, gjuajtur nga De Pauli, që në minutat e para të pjesës së dytë.

Skuadra e tij po kryesonte 2-0 në ndeshjen e Serisë A, veçse një gol i pësuar mund të sillte edhe të papritura.

Pritja ishte me të vërtetë e shkëlqyer, edhe pse nuk ishte e para në karrierën e Strakoshës në kampionatin Italian.

Sezonin e kaluar, portieri shqiptar ndaloi Paulo Dibalën, duke i dhënë mundësi Lacios që të arrinte një fitore të madhe 2-1 ndaj Juventusit, brenda në finale.

Pas ndeshjes së fundit, 24-vjeçari doli përpara mediave.

“Unë gjithnjë i studioj sulmuesit, po ashtu edhe para sesa të gjuajnë penalltinë, – tha portieri, – Për fat, ia dola ta pres, dhe falë Zotit e fituam ndeshjen. Ishte fitore e merituar. “Dëshirën për të fituar e kemi gjithnjë, por ndodh që nuk ia del. Kemi humbur pikë të rëndësishme, por tani duhet të bëjmë më pak fjalë, dhe më shumë punë. Sot, Edi Reja u emërua trajner i Shqipërisë, dhe unë dua t’i uroj sukses në kombëtaren tonë”.

Lacio iu afrua në vetëm tri pikë largësi me zonën Champions, me vendin e katërt të mbajtur nga Milani, duke pasur 52 pikë kur duhen edhe 6 ndeshje për t’u mbyllur sezoni i Serisë A.

Fitorja ndaj Udinezes u arrit me golin e shënuar nga Felipe Kaisedo, dhe me autogolin e Sandros, që në minutat e para./abcnews.al