Dy zyrtarë të Aeroportit të Tiranës kanë deklaruar para grupit hetimor për grabitjen në Rinas se kanë zbatuar rregullat e sigurisë. Por grabitësit, sipas tyre, kanë përdorur dyert që janë në dispozicion të zjarrfikësve, të cilat nuk janë të fortifikuara.
Zyrtarë të sigurisë së aeroportit të Rinasit, të marrë në pyetje pas grabitjes së parave në 9 Prill, u kanë sqaruar hetuesve se kanë zbatuar rregullat e sigurisë dhe se grabitësit përdorën ato që quhen “crash doors”.
Sipas deklarimeve të këtyre zyrtarëve, këto dyer, të cilat u përdorën edhe nga grabitësit për të hyrë në aeroport, nuk janë të fortifikuara, pasi në raste avarie të rrëzimit të një avioni, makina e zjarrfikëses duhet të depërtojë në pistë, duke i shkatërruar këto dyer.
Nisur nga ky sqarim i zyrtarëve të TIA-s gjatë marrjes në pyetje, ngrihen dyshime të forta së grupi kriminal që realizoi grabitjen e dispononte një informacion të tillë. Admir Murataj së bashku me grupin e tij kanë shfrytëzuar pikërisht këtë mënyre për të realizuar grabitjen.
Prokurorët e Krimeve të Rënda Arenc Çela, Besnik Miçi dhe Klodian Braho kanë sekuestruar të gjitha konventat apo marrëveshjet pranë zyrave të këtij institucioni, atij të Autoritetit të Acionit Civil apo kompanisë “ICTS”, të cilat do të analizohen në përputhje me faktet e rrethanat konkrete të ngjarjes.
Zyrtarët e aeroportit pretendojnë se kanë njoftuar policinë, sapo konstatuan çarjen e derës dhe panë furgonin t’i afrohej avionit të linjës Tiranë-Vjenë. Ndërse policia nga ana tjetër ka deklaruar se informacionin e ka marrë nga burime të tjera dhe jo nga punonjësit e TIA-s.
Organi i akuzës po heton edhe mbi origjinën e jelekëve antiplumb dhe veshjeve ushtarake të përdorura nga grabitësit. Sipas burimeve në Tiranë janë vetëm 3 dyqane që mund të tregtojnë pajisje të tilla.
Në bazë të verifikimeve dhe pamjeve të kamerave të sigurisë nuk ka rezultuar që të kenë blerë persona të dyshimtë. Pavarësisht hetimeve intensive, prokuroria ende nuk ka mundur të identifikojë bashkëpunëtorët e tjerë të Admir Muratajt./abcnews.al