Plori: Vuajtëm në sulm, shkojmë të motivuar në finalen e Kupës

schedule19:45 - 14 Maj, 2022

schedule 19:45 - 14 Maj, 2022

“Ndeshje për të ardhur keq, sepse në vend që të ishim më të motivuar, nuk ishte si në ndeshjen me Kukësin. Presioni mbi lojtarët e Tiranës nuk ishte, shënuan në dy raste që patën, kurse ne vuajtëm shumë në pjesën e sulmit. Mund të themi se ka të bëjë edhe cilësia, Seferi na ka vënë shumë në vështirësi”, deklaroi Elvis Plori menjëherë pas humbjes me Tiranën në Klasiken e Shqipërisë, takim që u mbyll me shifrat 3-1.

Një humbje që dhemb për shkodranët, të cilët tashmë shikojnë Kukësit t’i barazojë me pikë, ndërsa “kërcënohen” edhe nga Teuta për vendin e 4-të.

Ndër të tjera tekniku i kuqebluve theksoi se tashmë vëmendja e tyre do të përqendrohet tek Kupa e Shqipërisë, si e vetmja mënyrë për të arritur në Europë.

Finalja e Kupës: “Lojtarët duhet të gjejnë motiv dhe të jenë entuziastë drejt finales, duhet të jenë me kokën lart. Një pjesë e madhe e lojtarëve kanë shumë ndeshje në këmbë, nuk duhet të jemi negativë. Kjo skuadër ka dy vite që po bën mirë, por ka ndeshje si kjo e sotmja, kur duhet të jetë më agresive dhe më entuziaste.”

Rastet e humbura: “Nuk mund të harrojmë dhe ndoshta e kemi pasur të vështirë gjatë kampionatit që nuk shfrytëzojmë rastet. Kjo është ajo që më vret. Kur krijon 3-4 raste të pastra duhet të shënojë. Kemi shënuar shumë pak, nëse nuk shënon është e vështirë të fitosh. Shoh nervozizëm edhe te reparti i mbrojtjes, kur humben rastet. Ka një humbje besimi. Gjithsesi duhet të mendojmë pozitivisht para finales së Kupës.” /f.a/abcnews.al