Teksa rastet e reja po shkojnë drejt zeros, duke na bërë të mendojnë se koronavirusit po i vjen fundit, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka rikthyer sërish frikën.
Zyrtarët evropianë të shëndetësisë kanë sugjeruar një “plan të ri vaksinash”, duke deklaruar se dy llojet e Omicron janë etiketuar si “variante shqetësuese” për shkak të aftësisë së tyre për të shmangur vaksinat.
ECDC ka paralajmëruar se numri i rasteve në Evropë mund të rritet, duke vënë në dukje se BA4 dhe BA5 nënvariante të Omicron janë etiketuar si “variante shqetësuese” për shkak të aftësisë së tyre për t’iu shmangur vaksinave.
“Plani i ri i vaksinës”
ECDC rekomandon që vendet të bëjnë një plan të dytë përforcues vaksinimi për njerëzit mbi 60 vjeç. “Vaksina e parë është ende shumë e rëndësishme në popullatat që nuk janë vaksinuar ende dhe dozat përforcuese janë ende shumë të rëndësishme për ata janë vaksinuar”, thuhet në deklaratë.
ECDC vëren se të dy variantet e Omicron mund të kapërcejnë imunitetin e dhënë nga vaksina. Prandaj, autoritetet rekomandojnë rritjen e sistemit imunitar me vaksina përforcuese.
Llojet BA4 dhe BA5 të Omicron u zbuluan për herë të parë në Afrikën e Jugut në janar dhe shkurt të këtij viti. Përqindja e përgjithshme e varianteve BA.4 dhe BA.5 në Evropë është aktualisht e ulët, por aftësia për të shmangur vaksinën tregon se kanë mundësi që të bëhen dominuese në Evropë në muajt e ardhshëm.
Në paralajmërimin e fundit, ECDC shkroi: “Prania e këtyre varianteve mund të shkaktojë një rritje të konsiderueshme të rasteve të Covid-19 në Evropë në javët dhe muajt e ardhshëm. ECDC u kërkon vendeve të jenë vigjilente ndaj BA.4 dhe BA.5 .
/abcnews.al