Partizani udhëton në Rrogozhinë të shtunën, për t’u përballur me Egnatian në takimin e javës së 34-të të2 kampionatit shqiptarë.
Një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja ekipet të cilat kërkojnë të sigurojnë 3 pikët për të arritur objektivat e tyre këtë sezon.
Në konferencën për shtyp, trajneri Dritan Mehmeti analizoi këtë duel, ndërsa preku edhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me skuadrën e tij.
“Është pak e vështirë pas humbjes në derbi, pasi skuadra i dha mundësi kundërshtarit. Tirana përfitoi nga gabimet tona dhe kualitetet që ka. Ishim pak më lart në interpretimin e derbit, por të shohim përpara. Kemi një ndeshje të rëndësishme. Të fokusohemi te ndeshja e radhës për të arritur objektivin minimal.
Kundërshtari? Ka elementë shumë cilësorë. Na vunë në vështirësi në barazimin e fundit. Do mundohemi të bëjmë maksimumin, të përqendrohemi dhe të vlerësojmë kundërshtarin. Të futemi në ritmin e duhur, të harrojmë çfarë kemi bërë përpara.
Më shumë kam punuar në aspektin ofensiv dhe në tranzicionin negativ. Dy golat e pësuar nga Tirana erdhën nga gabimet tona. Kundërshtari mori iniciativën dhe na goditi. Jam përqendruar që skuadra të jetë e fokusuar te vetja.
Duhet të ishim shumë më konkretë, por skuadra ka qenë në rritje, edhe pse në disa ndeshje jemi penalizuar nga situata të veçanta dhe gabime individuale, flas sa i përket rezultateve. Në lidhje me ritmin e lojës kemi qenë mirë. E kemi në dorë fatin tonë, ta kërkojmë gjithçka te vetja.
Derbi? S’jam marrë asnjëherë me arbitrat, por ndoshta do të ishte më e drejtë të ishim aty ku duhet sa i përket vendimeve. Po ne jemi ata që me rivalët kryesorë, me Kukësin, kemi bërë atë që duhej. Aty ishte kthesa, u afruam me objektivin. Të jemi me këmbë në tokë, lojtarët duhet të tregohen profesionistë dhe vigjilentë, sepse janë ndeshje shumë të rëndësishme.
Marku ka pasur shumë ngarkesë, pasi ka luajtur dhe me Shqipërinë U21. Nga janari ka merita gjithë stafi, kemi punuar mirë sa i përket dëmtimeve. Një skuadër që ka shumë dëmtime, do të thotë që trajningu nuk është bërë në mënyrën e duhur. Gjithmonë jam fokusuar që ta imponojmë ne ritmin e ndeshjes, e kërkon bluza e Partizanit. Kundërshtari nuk do të rrijë mbrapa, sepse ka cilësi të mira në elementet që mbart në skuadër.
Skuka? Është lojtar i ri, me perspektivë. Në aspektin psikologjik ka pasur ngërç pas eliminimit me Vllazninë në Kupë. Skuadra dhe stafi e kanë ndihmuar. Duhet të tregohet me këmbë në tokë dhe profesionist. Të ardhmen e ka përpara, por të ndihmojë më shumë ekipin. Është hera e parë që ankohem për arbitrat. Kur kemi dy penallti flagrante në derbi, sigurisht që do flas, por nuk futem te ndërgjegjja e arbitrave, nuk merrem me këtë pjesë.
Dënimi i Disiplinës? Më vjen keq, sepse e kemi të pamundur t’ia dalim pa tifozët tanë, që janë ndër tifozët më të zjarrtë në Shqipëri. Nuk e meritojmë këtë dënim”, tha Mehmeti. /f.a/abcnews.al