Elvis Plori, trajneri i Vllaznisë, në prag të ndeshjes me Tiranën ka dalë para mediave dhe fillimisht ka deklaruar: “Për ne është një sfidë me shumë interes, duke ditur edhe ngjeshjen e ekipeve dhe objektivat. Nuk kemi arritur asgjë deri tani. Jemi barazim me pike me Partizanin dhe tre pikë para Kukësit, ka edhe tre ndeshje. Duhet të jemi seriozë dhe të bëjmë në fushë më të mirën.”
“Tirana është skuadër që nuk ka shkuar kot 20 pikë para. Ka elementë që bëjnë dallimin, duhet vlerësuar në maksimum. Nuk duhet të nënvlerësojmë. Nuk kemi kohë për gabime dhe rikuperime, janë tre ndeshje për të marrë maksimumin. Na duhen 9 pikë për Europën”.
“Ne nuk duhet të merremi me Tiranën, të merremi me veten dhe të kemi angazhim në fushë, si ndaj Kukësit. Duhet të mos bëjmë një pjesë mirë dhe një keq, kemi bërë gabime. Të kemi mendjen te detyrat tona, jo çfarë bën Tirana. Të mendojmë për këtë duel, më pas për dy të tjerat.”
“I bindur nuk jam për tre pikët, 90 minuta do luhet futboll. Topi është i rrumbullakët. Duam një skuadër kërkuese me shumë entuziazëm në fushë. Ne na duhen tre fitore që mos merremi me ekipet e tjera. Do flasim vetëm për Vllazninë”.
“Sulmi? Latifi është i gatshëm. Djurdjevic e ka të pamundur të kthehet edhe pas analizave të kryera. Çoba ka pasur vëmendje gjatë gjithë kohës, ka 22 ndeshje ku është aktivizuar. Pretendohet të jetë e ardhmja e klubit.
Është viti i dytë këtu, ka edhe gjashtë ndeshje në Kupë. E kemi diskutuar pjesën e lojtarëve të akademisë. Janë Paloka, Qarri, Smajli etj. Edhe Gurishta, po të kthehemi te viti i parë në ekip, ka pasur 4-5 ndeshje. Jemi të bindur se kemi fituar futbollistë”, deklaroi Plori. / abcnews.al