Manchester United do të kërkojë një përmbysje historike ndaj Barcelonës në “Camp Nou”, në ndeshjen e dytë çerekfinale të Championsit. Gjithsesi, skuadra katalanase jepet favorite
Nëse duhet një frymëzim, nuk mund të ketë më të mirë se ky. Manchester United arriti përmbysjen më të madhe në historinë e tij, dhe një nga më të mëdhenjtë në të gjitha kohët në Champions, në finalen e luajtur ndaj Bajernit pikërisht në stadiumin ku do të luajnë sonte, në “Camp Nou”.
Fitore 2-1 me njërin nga golat shënuar nga trajneri i tanishëm, Ole Gunnar Solskjaer. Skuadra e madhe angleze do të përpiqet të arrijë kualifikimin për në gjysmëfinale, edhe pse ndeshjen e parë në fushën e saj e humbi 0-1.
Frymëzim po kaq I madh sa finalja e vitit 1999, ndoshta edhe më shumë, janë dy përmbysjet e këtij sezoni, fillimisht fitorja 2-1 në stadiumin e Juventusit në fazën e grupeve, dhe më pas, kulmi, kualifikimi në fushën e Paris SG, me fitoren 3-1, pas humbjes së rëndë 0-2 në “Old Traford”.
Anglezët udhëtuan drejt Barcelonës, duke pasur edhe lajme të mira. Nemanja Matiç dhe Aleksis Sançez janë pjesë e skuadrës pasi lanë pas dëmtimet, por ashtu edhe Mateo Darmian. Mungesat janë Luke Shaë i pezulluar dhe Ander Herrera i dëmtuar.
“Jam i bindur se mund të fitojmë, – tha Solskjaer, – veçse, nuk duhet ta lemë veten në dorë të fatit. Duhet të luajmë më mirë sesa në ndeshjen e parë, ndryshe nuk ia dalim dot. Kur përmbysëm finalen e Championsit ndaj Bayern në këtë stadium unë isha lojtar, dhe është një kujtim i paharruar, veçse nuk është se e mendoj shumë atë fitore. Mendoj se përmbysja që realizuam në fushën e Paris SG mund të na ndihmojë të kemi besim”.
Barcelona, ndërkaq, duket se nuk ka asnjë problem. Trajneri Valverde la pushim gjithë skuadrën në ndeshjen e fundjavës në ligën spanjolle, pra lojtarët patën kohë të linin pas dëmtimet dhe sidomos lodhjen.
Lionel Messi pritet në fushë, edhe pse u dëmtua në fytyrë në “Old Traford”. Dilema e vetme e trajnerit është nëse duhet të ketë titullar Kutinjon apo Dembelenë, pasi sulmuesi francez është i aftësuar, dhe në gjendje për të luajtur edhe pse jo 90 minuta. Ai paralajmëroi për diçka tjetër.
“Ne e kemi shumë të qartë se çfarë karakteri kanë lojtarët e United, – tha Valverde, – kualifikimi ende nuk është vendosur. Manchester United ka diçka speciale në minutat e fundit dhe e ka treguar disa herë. Anglezët fituan një Champions në këtë mënyrë (në 1999). Po ashtu, po e bëjnë këtë sezon duke fituar 3 nga 4 ndeshjet jashtë fushe. Ne do të bëjmë lojën tonë, do të sulmojmë, por edhe do të kemi kujdes. Fitorja e parë nuk është garanci”.
Pavarësisht nga fitorja ndaj Bayern, United dhe skuadrat angleze nuk kanë histori të mirë në “Camp Nou”. Fitoret e vetme janë të Liverpool, një herë në Champions dhe një herë në Kupën UEFA, ndërsa në 22 ndeshjet e tjera në Ligën e Kampionëve, janë arritur 9 barazime dhe janë pësuar 13 humbje. Barcelona është favorite për fitore, sipas parashikimeve, me kuotë tepër të ulët 1.35, pra jepet thuajse e sigurt për kualifikimin./abcnews.al