Një i ri është arrestuar nga Policia e Shkodrës, pasi dyshohet së është autori i një ngjarje të ndodhur në Maj të vitit 2017, ku mbeti i plagosur ish-kampioni i boksit Nelson Hysa.
Sipas uniformave blu, ai është Valter Ksolla, 23 vjeç, banues në lagjen “Mark Lula”. Ndaj tij ishte caktuar më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, masa “Arrest në burg” për dy vepra penale, atë të “vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, të mbetur në tentativë” dhe armbëmbajtje pa leje.
Gjithashtu gjatë operacionit të koduar me emrin Gruda u arrestuan në flagrancë edhe dy të rinj të tjerë. N. Ksolla, 32 vjeç dhe K. Ksolla, 25 vjeç, vëllezër akuzohen për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi e mbajtja pa leje e armeve dhe municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.
Ata kishin strehuar 23-vjeçarin, ndërkohë që ky i fundit ishte në kërkim. Gjithashtu dyshohet se të dielën e 14 Prillit kanë qëlluar me armë në drejtim të banesës së një 50-vjeçari.
Ngjarja për të cilën akuzohet Ksolla ka ndodhur me 6 maj të 2017 tek vendi i quajtur Ura e Drevish Beg në Shkodër. Shkak mendohet një konflikt i mëparshëm mes ish-kampionit të boksit dhe autorit të plagosjes.
Ndërkohë ish-kampioni Hysa u vu në pranga mëngjesin e 9 Marsit. Ai akuzohet si pjesëtar i grupit kriminal të Bajrajve, që u godit nga policia vitin e kaluar. Që prej kohës që ishte shpallur në kërkim nga uniformat blu, boksieri jetonte në kryeqytet, ku edhe u arrestua. /abcnews.al