Nga agjenda për zgjedhjet e 2023 te ndryshimi i statutit, mblidhet sot Asambleja e PS

schedule08:02 - 7 Maj, 2022

schedule 08:02 - 7 Maj, 2022

Ditën e sotme Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare. Mbledhja do të nisë në orën 10:00, në një kompleks të kryeqytetit.

Sipas agjendës, punimet do t’i hapë sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, ndërsa pas tij do të mbajë fjalën edhe kryeministri Edi Rama.

Në asamble do të miratohen vendimet që janë marrë në kongresin e fundit. Pra ky organ do të mblidhet për zbatimin e vendimeve që u morën në Kongresin e 9 prillit.

Nga ky Kongres u shkarkuan në bllok 61 kryetarët aktualë të PS në rang bashkie, si dhe u bënë disa ndryshime në statut.

Këto vendime kanë të bëjnë si me ndryshimet statutore ashtu dhe me ndërprerjen e mandatit të kryetarëve të degëve të bashkive të PS, ndërprerje që do t’i hapë rrugë zgjedhjeve për kryetarë të rinj. Gjithashtu do të miratohet agjenda politike për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Sakaq, ABC nga burime ka mësuar se kryeministri Rama ka kërkuar llogari ndaj ministrave dhe deputetëve në lidhje me punën e bërë.

Agjenda e plotë:

Ditën e Shtunë, datë 07.05.2022, ora 10:00, në mjediset e kompleksit “Xibraku” në Tiranë do të  zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë.

Rendi i ditës së mbledhjes do të jetë:

  1. Hapja e punimeve të Asamblesë nga Sekretari i Përgjithshëm z.Damian Gjiknuri.
  2. Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste z.Edi RAMA.

Sesioni organizativ

  1. Prezantimi i ndryshimeve në Librin e Rregullave në zbatim të Statutit të ri të miratuar në Kongresin e datës 9.04.2022.
  2. Propozime/shtesa në draftet e rregulloreve dhe votimi i tyre.
  3. Miratimi i agjendës politiko/organizative dhe plan-veprimi i strukturave deri në zgjedhjet vendore 2023.
  4. Prezantimi dhe miratimi i projektvendimit për kuotizacionin e anëtarësisë së partisë për vitin 2022.
  5. Vendimi për plotësimin e vendeve vakante në Asamblenë Kombëtare.
  6. Diskutime të lira
  7. Mbyllja e punimeve të Asamblesë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!