Mehmeti: Derbi histori tjetër, Tirana ka ndeshje të tjera për titullin

schedule12:44 - 6 Maj, 2022

schedule 12:44 - 6 Maj, 2022

Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, para derbit tha: “Kur bëhet fjalë për derbin është diçka e veçantë është një histori tjetër. Pavarësisht objektivave që kanë të dyja klubet është një derbi dhe ne nuk mund ta menaxhojmë objektivin që ata kanë fitimin e titullit ndërsa ne arritjen e objektivit minimal që të mbërrijmë në Kupat e Europës.

E rëndësishme është që të interpretojmë ashtu si duhet derbin dhe shpresoj që të arrijmë të tregojmë atë që kemi bërë kohët e fundit sepse skuadra është paraqitur sesi stërvitet dhe ashtu siç lojtarët kanë karakterin.”

“Tirana ka kualitetet e saj, siç mund të ketë pikat e forta ka edhe pika të dobëta. Siç edhe ne kemi elementë shumë cilësorë që mund t’i godasim. Ne marrim maksimumin, stërvitemi pavarësisht kundërshtarit.

Derbi është derbi dhe detyrat taktike kalojnë përtej. Këtu kemi lojtarë kampionë, por kemi dhe lojtarë që nuk e kanë provuar derbin dhe është një miks i tillë në aspektin psikologjik, shpresojmë të fitojmë nesër.”

““Me thënë të vërtetën do të ishte më mirë të luhej derbi në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ sepse ne edhe kur kemi dalë kampionë, pavarësisht se ky stadium nuk është i yni, por i Bashkisë, por ne kemi fat edhe do të ishte më mirë aty. Autoritetet nuk morën përsipër organizimin e ndeshjes aty dhe u detyruam ta zhvillojmë ndeshjen në ‘Elbasan Arena’.”

“Unë nuk merrem se çfarë mendon Tirana dhe kur ata duhet të shpallen kampionë. Tirana ka ndeshje të tjera për të dalë kampion. Ne jemi rivalë të përjetshëm brenda kornizës së ‘Fair Play’-it, shkova të shoh një ndeshje për kënaqësi, por edhe për të parë gjendjen që ka Tirana. Këtë gjë mund ta bënte dhe trajneri i Tiranës që të vinte ta shihte Partizanin”.

“Është e vështirë që të parashikosh një derbi nëse duhet të jesh cinikë apo të jetë një lojë e hapur. Tirana i ka shfrytëzuar shumë mirë elementët që ka, sepse në situatat e ndryshme i shënon golat, por unë e shoh te skuadra ime që vuaj në 20 metrat e fundit, prodhojmë shumë dhe shpërdorojmë shumë raste për gol.”

“Nuk e ndjej veten komod, unë mendoj vetëm për ndeshjen e radhës. Nëse do të ndihesha komod do të bëja gabimin më të madh unë edhe e gjithë skuadra, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë sepse ende nuk ka përfunduar asgjë. Lojtarët as nuk e mbajnë mend kur e kanë fituar derbin e fundit, janë fokusuar vetëm te e ardhmja sepse është në mentalitetin e tyre.”

“Ne e kemi shumë të rëndësishme dhe nuk bëjmë pa tifozët. Kanë bërë gjithçka, i bëj thirrje të jemi të gjithë bashkë, sepse këtu tregohet sesa e duam klubin”, tha Mehmeti. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!