Nga Aleksandër Motil “19 Fortyfive”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Herët a vonë, agresioni rus kundër Ukrainës do të përfundojë, me ose pa një marrëveshje paqeje. Po pastaj çfarë do të ndodhë? Cila duhet të jetë politika e Perëndimit ndaj Ukrainës dhe Rusisë? Përgjigja ndaj kësaj pyetje varet shumë nga politika aktuale e Perëndimit dhe nga natyra e regjimit të Putinit.
Pas disa javësh pasigurie, politika perëndimore tashmë është bërë më e qartë. Siç deklaroi edhe kryetarja e Kongresit të SHBA-së, Nancy Pelosi, pak ditë më parë kur ishte në Kiev “Ne jemi këtu për t’ju thënë, se do të jemi me ju derisa të përfundojë kjo luftë. Ne do të jemi këtu derisa ta fitojmë këtë betejë”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte thuajse po aq i prerë: “Së bashku me partnerët tanë në BE dhe NATO, ne jemi plotësisht të bashkuar në idenë se Rusia nuk duhet të fitojë”. Kjo është një mënyrë e tërthortë për të thënë se Ukraina duhet të fitojë.
Jo se duhet të kishte dyshime mbi vendosmërinë perëndimore. Takimi historik i 40 ministrave të mbrojtjes në Ramstein më 26 prill, i zhbëri ato. Gjatë atij takimi, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, vuri në dukje se “ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që të mund të përmbushim nevojat e sigurisë së Ukrainës”.
Vendosmëria e Perëndimit për ta mposhtur Rusinë nuk ka kaluar pa kritika. Graham Allison i Universitetit të Harvardit shkruan në një artikull të kohëve të fundit: “Nëse Putini do të detyrohet të zgjedhë midis humbjes nga njëra anë në Ukrainë, dhe përshkallëzimit të nivelit të shkatërrimit, ekzistojnë të gjitha arsyet për të besuar se ai do ta përshkallëzojë nivelin e shkatërrimit”.
Por problemi me këtë mënyrë të menduarit, është se Putin e ka përshkallëzuar tashmë luftën e tij, edhe pa u provokuar në asnjë mënyrë nga Ukraina apo Perëndimi. Ishte Putin, ai që sulmoi Ukrainën më 24 shkurt, dhe ishte po Putin që zbatoi politikën e gjenocidit dhe “ tokës së djegur” disa javë më vonë.
Pavarësisht se çfarë bën Perëndimi apo Ukraina, Putin do të vazhdojë me përshkallëzimin e luftës. Lufta e tij e asgjësimit kundër Ukrainës, buron nga bindjet e tij ideologjike mbi paligjshmërinë e Ukrainës si shtet, si dhe nga natyra e regjimit që ka ndërtuar në Rusi.
Në sytë e Putin, Ukraina dhe ukrainasit nuk duhet të ekzistojnë, dhe për ta arritur këtë qëllim, ai është padyshim i gatshëm të përdorë vrasjet masive. Ndërkohë, regjimi i Putin është haptazi fashist, legjitimiteti dhe fuqia e tij mbështeten tek aftësia për t’i dhënë mundësi Rusisë dhe rusëve të tregojnë “madhështinë” duke vrarë fqinjët e tyre.
Sondazhet e opinionit publik, tregojnë se rusët mbështesin në masë të madhe Putin dhe luftën e tij. Ka shumë arsye të supozohet se një udhëheqës i tillë, i vendosur në krye të një regjimi të tillë, do t’i përshkallëzojë më tej armiqësitë edhe nëse mposhtet Ukraina.
Rusia do të sulmojë vendet e tjera në ish-bllokun sovjetik. Imagjinoni në një moment sikur lufta aktuale të ketë mbaruar. Ka fituar Ukraina ose Rusia. Një fitore e Ukrainës, nënkupton së paku tërheqjen e Rusisë nga territoret që ajo ka pushtuar që nga 24 shkurti. Në skenarin më të mirë, Rusia mund të detyrohet të tërhiqet nga Krimea dhe Donbasi.
Një fitore ruse është më e vështirë të përcaktohet. Edhe një pushtim i plotë dhe një ndryshim i qeverisë në Kiev, do t’i zhvendoste luftimet tek partizanët ukrainas, të cilët ka të ngjarë ta bëjnë të padurueshëm vazhdimin e qëndrimit të ushtrisë ruse në Ukrainë.
Asnjëri nga skenarët nuk do ta ndryshojë politikën e Perëndimit ndaj regjimit të Putinit. Mbështetja e tij për Ukrainën do të mbetet po aq e pandryshuar. Putin do të jetë ende një kriminel lufte, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov do të jetë ende një antisemit, dhe miqtë e Putin do të jenë sërish bashkëpunëtorët e tij që ndihmuan në kryerjen e gjenocidit.
Si një ekuivalente bashkëkohore e Gjermanisë naziste, Rusia Putiniste do të detyrohet të izolohet dhe të sanksionohet. Shtetet e Bashkuara, vendet e NATO-s dhe Ukraina – që mund të kenë të drejtë të anëtarësohen në NATO deri atëherë – do të vlerësojnë së Putini mund të fillojë lehtësisht një luftë të re në çdo kohë.
Ndoshta ajo luftë do të ishte sërish kundër Ukrainës, ose ndoshta Rusia do të sulmojë një nga shtetet baltike, ose Kazakistanin apo Poloninë. Meqë Perëndimi nuk do të dëshirojë që ta angazhojë Rusinë në një luftë, opsioni i vetëm i tij i mbetur do të jetë ta frenojë Rusinë duke krijuar një kordon sanitar të përbërë nga shtetet post-sovjetike, duke shpresuar dhe duke promovuar ndryshimin e regjimit nga brenda.
Nëse nga ana tjetër, Putini nuk arrin të mbijetojë – kjo ka shumë të ngjarë të ndodhë nëse Rusia e humbet luftën – apo nëse Putini e zhyt vendin në një luftë shumë të gjatë – atëherë Perëndimi mund të jetë në gjendje të zbusë politikën e tij ndaj Rusisë, në një kohë që vazhdon ta mbështesë Ukrainën.
Gjithçka do të varej nga rrethanat e sakta të largimit të tij dhe pasojat që kjo do të sillte. Nëse pasardhësi i tij është thjesht një figurë tjetër e tipit Putin, atëherë ne do të jemi rikthyer në skenarin e parë. Nëse, siç sugjeron historia e Rusisë, pasardhësi i tij rezulton të jetë më i arsyeshëm, apo nëse shpërthen një luftë për pushtet, kjo mund të krijojë hapësirë të mjaftueshme politike që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të arrijnë një lloj bashkëjetese me Moskën.
Dhe nëse trazirat pas Putin do të jenë aq të mëdha sa t’i japin mundësi opozitës demokratike të ngjitet në krye të vendit dhe të përpiqet të kthejë kursin e rrezikshëm të Rusisë, shanset për një normalizim të vërtetë të marrëdhënieve Rusi-Perëndim do të rriteshin ndjeshëm.
Cilido qoftë rezultati, Perëndimi duhet të bëjë atë që po bën: Të mbështesë Ukrainën dhe të synojë disfatën e Rusisë. Një alternativë e tillë si – pranimi i disfatës së Ukrainës dhe në këtë mënyrë promovimi i fitores së rusëve – do të ishte një katastrofë për Perëndimin, ndoshta edhe për mbarë botën. /abcnews.al


