Suedia mund të rihapë hetimet për Julian Assange

schedule23:30 - 12 Prill, 2019

schedule 23:30 - 12 Prill, 2019

Pas arrestimit të Julian Assange, autoritetet suedeze paralajmërojnë hapjen e hetimeve ndaj themeluesit të Wikileaks, për akuzën e agresionit seksual. Ekstradimin e tij e kërkojnë edhe Shtetet e Bashkuara.

Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange mund të përballet me një rihapje të hetimeve për dhunim seksual në Suedi. Assange, 47 vjeç, u arrestua ditën e enjte pas 7 vjet strehim në Ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Prokurorët suedezë deklarojnë se po ekzaminojnë çështjen me kërkesë të avokatit të viktimës së dhunimit. Avokatja suedeze Elizabeth Masi Fric ka deklaruar se do të bëjë gjithçka që hetimet në vendin nordik të hapen sërish. Assange aludohet ta ketë kryer dhunimin në vitin 2010 në Stockholm, ku do të mbante një fjalim para studentëve në lidhje me portalin e tij Wikileaks.

Vetë ai i ka mohuar gjithmonë akuzat duke deklaruar se marrëdhënia seksuale kishte qenë konsensuale. Prokurorët suedezë e mbyllën hetimin ndaj tij në vitin 2017 pasi nuk arritën ta procedonin 47-vjeçarin, që ndërkohë ishte strehuar në ambasadën ekuadoriane.

Por tani ata do të riekzaminojnë çështjen për të vendosur nëse do ta rifillojnë procesin dhe për këtë do të kenë afat deri në vitin 2020. Ndërkohë, edhe Shtetet e Bashkuara dëshirojnë ta ekstradojnë atë nga Britania në lidhje me rolin e luajtur në publikimin e informacioneve konfidenciale qeveritare në vitin 2010.

Në rast ekstradimi në Amerikë, ai rrezikon të dënohet me 5 vjet burg, por avokatët e tij druhen se mund të vuajë shumë më tepër./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!