Në një deklaratë për media numri dy i demokratëve Edi Paloka ka denoncuar se qeveria po përpiqet të mbrojë kompaninë përgjegjëse për sigurinë në aeroportin e Rinasit, kjo pasi me ICTS Albania e lidh avokati i kësaj partie Eno Bushi, që sipas selisë blu gënjen kur mohon lidhjen me këtë kompani.
“E vërteta numër 1 është se kompania ICTS ALBANIA, përgjegjëse për sigurinë në Rinas dhe kompania ku avokati i Edi Ramës kishte 25% të aksioneve, janë e njëjta kompani, me dy nipte dhe emra të ndryshëm. 1. Të dyja kompanitë kanë një pronar ICTS EUROPE. 2. Të dyja kompanitë, njëra e themeluar në shkurt 2005, tjetra në Mars 2009, janë rregjistruar nga i njëjti person. Panagiotis Kambouroglou. Në 2009, shtetasi grek autorizon si një nga përfaqësuesit ligjorë të shoqërisë, Eno Bushin. 3. Të dyja kompanitë kanë të njëjtin person që firmos për pagesa mbi 50 mijë apo luan rolin e Administratorit, Aldi Meloholli.
4. Të dyja kompanitë kanë të njëjtin drejtor teknik për sigurinë 5. Të dyja, kompanitë kanë ndryshuar adresë në të njëjtën kohë, në 2011-ën: Bulevardi “Gjergj Fishta”, pallati Edil-al, shkalla 1, ap 9.3. 6. Të dyja kompanitë kanë ndryshuar pronar në shkurt 2013, duke kaluar nga hollandezët tek francezët. Në këtë kohë, avokati i Edi Ramës bëhet pronar me 25 përqind të aksioneve, në kompaninë me pronare vendimmarrëse përgjegjësen për sigurinë e Rinasit. 7. Të dyja kompanitë, në Korrik 2014, kanë një adresë të re, të njëjtën adresë: Qendra Alpas, godina 146, hyrja 2”, tha Paloka./abcnews.al