16 prona i janë sekuestruar familjes së Admir Murataj 1 muaj para se ky i fundit të bënte grabitjen e radhës pas së cilës humbi edhe jetën. “Në site” kanë kaluar edhe pronat e 2 vëllezëve të tij, si dhe të 11 të afërmve të tjerë.
Rreth një muaj para se të ndodhte grabitja e nëntë prillit në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë pas kësaj grabitje, pronat e vëllezërve të tij Aleksandër Murataj e Can Murataj, bashkëshortes Albana Alidhima dhe disa të afërmve të tjerë të familjes.
Procedimi pasuror sipas Prokurorisë ka filluar më 4 mars të vitit 2019.
Pas verifikimeve që ka kryer për Admir Murataj, Aleksandër (Shpëtim) Murataj si dhe për 14 familjarë të tyre pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda prokuroria ka vendosur të konfiskojë si provë materiale 300 mijë euro.
Gjithashtu Admir Murataj, Can Murataj, Aleksandër Murataj u janë sekuestruar në kuadër të procedimit penal një sërë pasurish të paluajtshme.
Bëhet fjalë për tetë makina, një motoçikletë, tre apartamente, një vilë dy katëshe, një garazh, truall dhe pemëtore.
Sipas Prokurorisë Admir Murataj, Aleksandër Murataj, dhe familjarët e tij janë subjekte të hetimit pasuror pasi janë identifikuar pasuri që nuk justifikohen nga burimet të ligjshme. /abcnews.al