Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, pas ndeshjes së fituar kundër Kukësit foli në emisionin “Goli pas Goli” në Supersport: “Nëse e marrim nga fillimi, pritej të kishte tension. Skuadrat kanë të njëjtin objektiv dhe aktorët në fushë së bashku me arbitrin janë në presion. Partizani në pjesën e parë duhej të shkonte tre apo katër gola, por është edhe fati në mes.
Në të dytën do të zbrisnim pak poshtë dhe mund ta kishim mbyllur ndeshjen, por Junior duhej të tregohej më altruist. Edhe Kukësi ka kualitete dhe i komplimentoj çunat për shpirtin e lartë të garës. Kam vetëm fjalë të mira për ta, por të qëndrojmë me këmbë në tokë se nuk kemi arritur asgjë”.
“Kjo është një nga ndeshjet më të mira, duke pasur parasysh edhe rëndësinë e ndeshjes. Është një nga ndeshjet më të mira dhe lojtarët e kanë interpretuar siç e kishim përgatitur, kam vetëm fjalë të mira për të gjithë. Lojtarët meritojnë më tepër”.
“Futbolli është lojë gabimesh dhe duhet parë aspekti psikologjik, pasi nuk mundet të dalësh aq shpesh para porte. Është edhe fati në mes prej shtyllave, sigurisht ka edhe gabime, por futbolli prandaj është i bukur sepse edhe rastet humben. Kam vetëm falënderime”, tha Mehmeti. / abcnews.al