Grabitja në Rinas, deputetët e “Sigurisë”: Përgjegjësi e koncesionarit dhe bankave

schedule18:50 - 10 Prill, 2019

schedule 18:50 - 10 Prill, 2019

Deputetët e Komisionit Kuvendor për Sigurinë Kombëtare bëjnë përgjegjës koncesionarin dhe bankat për rastet e grabitjes së parave gjatë transportit drejt Rinasit. Ata thonë se ngjarje të tilla kanë cënuar sigurinë kombëtare. 

Përfaqësuesit e shumicës socialiste e shohin ngjarjen e grabitjes së disa miliona eurove në pistën e aeroportit të Rinasit si një mundësi për të ndryshuar ligjin për koncesionet. Kjo pasi sipas tyre, përgjegjësia për këtë rast të përsëritur brenda ambienteve të aeroportit është e koncesionarit kinez që e administron.

“Marrëveshjet koncesionare jo vetëm ajo në aeroportin Rinasit janë marrëveshje problematike. Përjashtojnë veprimin apo prezencën e forcave të shtetit, të rendit dhe sigurisë”, tha Ermonela Felaj.

“Do i kisha bërë thirrë koncesionares sa kontrollojnë çantat me kujdes se edhe na heqin rripat nga brezi më mirë të ke parasysh të bëjnë sigurimin e territorit ku operojnë në Rinas”, tha Sterkaj.

Por Paulin Sterkaj, anëtar i Komisionit të Sigurisë, mendon se përgjegjësia duhet kërkuar dhe tek vetë bankat.

“Përderisa ka një kallauz që tregon se lëvizin ajo shumë e madhe paresh duhet të hetohet më në thellësi problemi i lëvizjes së pareve”, tha ai.

Por a e ka cënuar kjo ngjarje sigurinë kombëtare?

“Janë momente, të cilat në fakt e vendosin në diskutim sigurinë kombëtare dhe krijon premisa të qarta për cënimin e saj”, tha Felaj.

Ndryshe nga dy anëtarët e Komisionit të sigurisë, për sa i përket cënimit të sigurisë kombëtare mendon ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

“Siguria Kombëtare është një fjalë e madhe. Unë mendoj se grabitja e djeshme është një ngjarje shumë e rëndë që duhet marrë shumë seriozisht sepse aeroporti është një objekt i rëndësisë së veçantë”, tha ajo./abcnews.al