Sekuestrohen 2 kg kanabis në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Droga u gjet gjatë kontrollit rutinë të policisë të një 56-vjeçari që udhëtonte në drejtim të Greqisë. Në pranga ka rënë poseduesi i lëndës narkotike i cili tentoi të korruptonte punonjësit e policisë që zbuluan drogën dhe një shumë prej 600 eurosh.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së riskut dhe shkëmbimit të informaciomeve me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë përzgjedhur për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, automjetin tip “Mitsubishi” me drejtues shtetasin Gj. Z., 56 vjeç, banues në Shkodër.
Si rezultat i kontrollit të ushtruar në mjet, në bagazhin e tij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 pako me peshë 2 kilogram lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Shtetasi Gj. Z., ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë duke iu ofruar 600 euro, me qëllim shmangien e kontrollit”, njofton policia.
Veprimet e mëtejshme procedurale dhe hetimore, u kryen nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al