Një duel anglez në çerekfinalet e Championsit

schedule16:32 - 9 Prill, 2019

schedule 16:32 - 9 Prill, 2019

Një duel i madh anglez do të jetë sonte në Champions. Totenhemi pret Mançester Sitin në Londër, me skuadrën e Pep Guardiolës që cilësohet favorite

Do të luhet në stadiumin e ri, dhe kjo nuk është pak. Totenhem Hotspuri shpreson që të jetë edhe më shumë i frymëzuar në ndeshjen tepër të vështirë të Championsit ndaj Mançester Sitit, nga atmosfera e jashtëzakonshme e 62 000 tifozëve në shtëpinë e tij.

Pikërisht në impiantin me vlerë 1 miliardë paund stërlina, londinezët do të synojnë të hedhin edhe një hap tjetër përpara në garën kryesore të klubeve në Evropë, të synojë gjysmëfinalet, për herë të parë që nga viti 1962.

Suksesi ndaj Dortmundit, një raund më herët, dha shumë shpresë, edhe pse Siti pritet të jetë pengesë shumë më e vështirë.

Londinezët do të kenë tre mungesa, Erik Lamelën, Erik Dajerin dhe Serzh Orienë, por Jorente duhet të jetë i gatshëm.

“Natyrisht, kjo është ndeshja më e madhe në karrierën time si trajner”, – pohoi tekniku i Spërsave, Poçetino, – padyshim, është një nga më të rëndësishmet. Objektivi është kualifikimi për në gjysmëfinale. Do të jetë e vështirë, pasi Siti është shumë i fortë. Skuadrat e Guardiolës janë agresive, por edhe ne jemi agresivë”.

Mançester Siti e tregoi veten sesa agresiv ishte kur shkatërroi Shalken 7-0 në “Etihad”.

Një ndeshje e rrallë, me një rezultat që flet vetë për potencialin dhe momentin që po kalon formacioni i trajnerit Pep Guardiola.

Kampionët e Anglisë kanë lajme shumë të mira, pasi Kun Aguero u kthye nga dëmtimi, e po ashtu gati është edhe Fabian Delf.

Mungesë e rëndësishme Kajl Uolker, ashtu si i riu Zinçenko.

Siti ka fituar Kupën e Ligës, është në finale të Kupës së Anglisë, pretendon titullin në Premier, si dhe Championsin.

“Ne po synojmë pesë trofe, jo katër, – tha Guardiola, duke e nisur me një protestë, – ju keni harruar Superkupën që fituam në verë. Përsa i përket ndeshjes, do të jetë shumë e vështirë, me një publik të jashtëzakonshëm kundër nesh. Duhet të tregojmë veten se dimë ta përballojmë presionin, pasi vetëm kështu mund të kemi sukses në Champions”.

Mediat angleze e kanë pasur duelin në qendër të vëmendjes.

“Star Sport” komenton në specialen e Championsit: Pesë synimet e mëdha të Pepit! Trajneri i Sitit thotë se skuadra e tij synon 5 trofe, pas fitores së Superligës!

“Deili Meil” jep fjalët e trajnerit të Totenhemit, Maurisio Poçetino, që e quan këtë ndaj Sitit, si ndeshjen më të madhe të karrierës së tij në stol.

Interesant fakti se vetëm 1 nga 16 ndeshjet e fundit mes tyre kanë përfunduar në barazim, ndërsa ekipi i Guardiolës ka 3 fitore radhazi.

Siti, sipas parashikimeve, duhet të bëjë qejf në Londër, pasi i jepet koeficienti 1.87 për fitoren, ndërsa Totenhemi ka kuotën 4.10.

Për kualifikimin, padyshim, skuadra e Guardiolës është favorite e madhe, me vetëm 1.19 koeficient, ndaj 4.50 për Spërsave./abcnews.al